Refuzohet padia e 'Nine Eleven'-it ndaj regjisores Zeqiri

Refuzohet padia e 'Nine Eleven'-it ndaj regjisores Zeqiri

Kultura November 13, 2019 - 11:14

Gjykata e ka refuzuar, duke e konsideruar si të pabazë, kundërpadinë e organizatës “Nine Eleven” ndaj regjisores kosovare Blerta Zeqiri për autorësinë e filmit “Kthimi”, që kishte triumfuar edhe në festivalin prestigjioz “Sundance”. Kjo kundërpadi ishte ngritur në vitin 2012 nga Blerim Gjoci, asokohe drejtor i organizatës dhe i festivalit “Nine Eleven”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përmes kësaj kundërpadie Gjoci i kishte kërkuar regjisores ta pranojë organizatën si autore të filmit dhe t’ia kthejë çmimet që filmi kishte fituar nëpër festivale, pavarësisht faktit që të gjitha festivalet në fjalë i kishin konfirmuar me shkrim që çmimet i takojnë regjisores. Lajmin se kjo kundërpadi është shpallur e pabazë e ka bërë të ditur vetë regjisorja Zeqiri, të martën, përmes rrjeteve sociale. Sipas regjisores Zeqiri,  si rezultat i këtij konflikti filmit iu mbyllën shumë dyer. “Blerim Gjoci e mbylli veprën në sirtarë, duke mos e lënë të shfaqet në shumë raste dhe për herë të parë në histori të Akademisë Evropiane të Filmit, duke e tërhequr edhe nga nominimi për ‘Çmimin Vjetor të Filmit më të Mirë të Shkurtër Evropian’ të kësaj akademie prestigjioze (kjo gjithashtu ishte hera e parë që një film i shkurtër kosovar u nominua për ‘Filmin më të Mirë të Shkurtër Evropian’).

Arsyeja e tërheqjes ishte që Gjoci si producent, edhe pse në të vërtetë nuk e kishte kryer punën e producentit gjatë bërjes së filmit, dëshironte të ishte pranuesi eventual i çmimit në rast të fitores në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në vitin 2012”, ka shkruar Zeqiri, duke shtuar se atëbotë Akademia Evropiane e Filmit i kishte shkruar qartazi Gjocit që rregullorja e tyre thotë se në rast të filmave të shkurtër shpërblimin e pranon regjisorja e jo producenti.

Më tutje në njoftimin e saj regjisorja Zeqiri është shprehur se shpreson që përvoja e saj të bëhet shembull i rregullimit të relacioneve në mes të producentëve dhe autorëve të filmave. “Shpresoj që kjo përvojë, sado e hidhur për mua dhe e dëmshme për kinematografinë tonë, sidomos në një kohë kur ishim duke i marrë këmbët nëpër botë, të shërbejë si shembull i rregullimit të relacioneve në mes producentëve dhe autorëve të filmave të shkurtër, por edhe të gjatë”, ka theksuar Zeqiri, duke falënderuar avokatin e saj, Kujtim Kerveshi.

Rikujtomë se “Kthimi” ishte filmi i parë kosovar, por edhe shqiptar, që mori pjesë në programin zyrtar të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, “Sundance”. Zëri