Panairi i Tiranës hap dyert për lexuesit

Panairi i Tiranës hap dyert për lexuesit

Kultura November 13, 2019 - 11:18

Ka nisur sot në Tiranë edicioni i 22-të i ngjarjes më të madhe të librit në kryeqytetin shqiptar. Panairi i Librit ka hapur dyert për lexuesit në Pallatin e Kongreseve, duke prezantuar kështu para tyre rreth 800 tituj të rinj të botuar vitin e fundit.  Ky panair do të mbahet mes datave 13 - 17 nëntor. Si çdo vit, edhe kësaj here në Tiranë do të prezantohen dhjetëra botues nga Kosova me librat më të rinj të botuar së fundi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Këtë vit në kuadër të Panairit të Librit në Tiranë do të jepen katër çmime. Një çmim për “Veprën më të Mirë Letrare Origjinale”, një çmim për “Përkthimin më të Mirë në Gjuhën Shqipe”, si dhe një çmim për “Veprën më të Mirë të Letërsisë Dokumentare ose Memorialistike”. Si zakonisht do të jepet edhe një çmim i veçantë për “Përkthimin e një Vepre nga Gjuha Frënge në Gjuhën Shqipe”. Ky çmim jepet nga Ambasada e Francës në Tiranë. Të gjithë këta çmime, përveç vlerësimit profesional dhe certifikatës, shoqërohen edhe me një vlerë monetare.

Juria e Panairit kryesohet nga prof. Lili Sula, drejtore e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, poetja Adriatike Lami, që është edhe drejtore e një shkolle të njohur në Tiranë, studiuesi Agim Baçi, përkthyesi Agim Doksani dhe poeti Parid Teferiçi.

E krahas shitjes së librave, në kuadër të këtij Panairi do të mbahen edhe disa aktivitete, në të cilat do të përfshihen promovime librash, seminare e diskutime. Këtu përfshihet seminari i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me temë "Romani triller, një prirje e re edhe në letërsinë shqipe”, konferencat njohëse si "Përvoja në përkthimin e letërsisë më të mirë evropiane", nga shtëpia botuese “Dituria” e të tjera. Zëri