Vijon në Prishtinë festivali që kundërshton pabarazinë dhe promovon diversitetin
Foto: Laura Hasani

Vijon në Prishtinë festivali që kundërshton pabarazinë dhe promovon diversitetin

Kultura November 14, 2019 - 10:43

Liridona Ahma

Ka nisur të mërkurën, në hotelin “Emerald”, në Prishtinë, edicioni i parë i Festivalit Multikulturor, i organizuar nga organizata “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”.

Ky festival po organizohet për herë të parë dhe është një ngjarje, e cila promovon identitetet dhe kulturat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, sfidon përjashtimin social dhe promovon rolin e gruas në shoqëri, si dhe bën ofrimin e mundësive të barabarta. Thënë ndryshe, ngritja e zërit ndaj pabarazisë, si dhe promovimi i diversitetit janë qëllimet kryesore të festivalit,shkruan sot gazeta "Zëri".

Ditën e parë festivali mblodhi përfaqësues të ndryshëm lokalë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve publike, të rinj nga grupe të ndryshme etnike, si dhe donatorë të ndryshëm në Kosovë. Ata u bënë bashkë për të diskutuar mbi rëndësinë e gruas në shoqëri, për pasojat e gjuhës së urrejtjes dhe për antigipsizmin. Fjalimin hyrës e mbajti kandidati për kryeministër Albin Kurti, për t’i lënë vend ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, dhe në fund foli edhe drejtori ekzekutiv i “VoRAE”, Isak Skenderi.

Kurti diskutoi për mundësitë e barabarta dhe të garantuara nga shteti si shanse për të arritur progres kolektiv. Ai tha se komunitetet nuk duhen të shihen si projekte, si departamente dhe si agjenci të ndara nga Qeveria, sepse kjo do të bënte dallimin dhe diskriminim ndaj tyre. “Jam këtu sepse kam një pikëpamje ndryshe për zhvillim dhe për progres të shoqërisë sonë. Unë zhvillimin ekonomiko-shoqëror e shoh te zhvillimi i qytetarëve dhe komuniteteve pa dallim. Në Republikën e Kosovës qytetarët janë të barabartë, ata duhen të bëhen të barabartë edhe kur s’janë medoemos”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, ta trajtosh tjetrin të veçantë do të thotë ta trajtosh disi të ndarë nga tërësia, prandaj assesi nuk duhet lejuar që veçantia e kujtdo qoftë të bëhet paragjykim, diferencim ose përjashtim nga shumica. “Fëmijët nuk duhen të jenë në rrugë, por në shkollë. Nuk duhet të përdoren për punë, por duhet të mësojnë. Nuk duhet të martohen, por duhet të shkollohen, sepse shkollimi është e drejtë e garantuar”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër Jean-Hubert Lebet, ambasador i Zvicrës në Kosovë, tha se komuniteti RAE ka nevojë për ndryshime dhe për përkrahje që do t’i bëjë të ndihen të barabartë me të tjerët. Këtu ai theks të veçantë i dha papunësisë e edukimit. “Nuk është e pranueshme që t’i shohim fëmijët në rrugë duke kërkuar në vend se të jenë në shkollë duke mësuar. Për këtë çështje duhet të merren veprime koordinuese në nivele të ndryshme. Duhet të kenë më shumë qendra mësimi pas shkolle, disa prej tyre që ekzistojnë i financon Zvicra. Po ashtu duhet t’i përkrahim familjet e tyre e të kujdesemi për ta, t’u sigurojmë strehim”, shtoi Lebet.

Në fund drejtori ekzekutiv i “VoRAE”, Isak Skënderi, foli më tepër për vështirësitë me të cilat përballen këto komunitete në Kosovë. “Një temë kyçe është pozita e grave në komunitetin tonë, të cilat ende nuk gëzojnë respekt të plotë për lirinë e tyre të zgjedhjes, për çështjet në lidhje me vendimet më themelore për jetën e tyre”, tregoi Skënderi duke shtuar se në shoqërinë tonë gratë dhe vajzat e komunitetit RAE janë të nënvlerësuara pavarësisht cilit grup i përkasin. Sipas tij, më shumë se 63% nuk vijojnë shkollimin për arsye të varfërisë ekstreme, ndërsa 93% të këtij grupi janë të papunësuara. Mbështetja e ofruar për këto gra e vajza nënkupton luftimin e paragjykimeve dhe stereotipave të ndryshëm.

Në pjesën tjetër të ditës festivali vazhdoi me promovimin e kulturës me ushqime tradicionale, me një ekspozitë nga Mirjeta Qehaja dhe me promovimin e bizneseve të ndryshme.
Punimet e realizuara nga Mirjeta Qehaja paraqisnin historinë dhe viktimat e Holokaustit, sepse sipas artistes dhe organizatorëve, të kujtosh Holokaustin është të kërkosh dhe të mbrosh të drejtat e njeriut. Rikujtojmë se 6 milionë hebrenjtë dhe shumë të tjerë janë vrarë dhe dinjiteti human u shkel nga ideologjia raciste.

Ndër punimet e saj ishte njëri, i cili paraqiste të mbijetuarin e Holokaustit nga komuniteti rom, Raymond Gureme, nga Franca. Njeri me vlera i cili i shpëtoi 11 herë kampit të përqendrimit. Sot ai është 96-vjeçar dhe jeton për të na dëshmuar se çdonjëri nga ne mund t’ia dalë për t’i arritur qëllimet, vetëm nëse ekziston vullneti.

Festivali u përcoll me aktivitet muzikor nga “Jimmy Band” e në ndërkohë duke prezantuar secili prej pjesëmarrësve bizneset e tyre si: metal punues, veshje kombëtare, rroba punëdore, punime arkitekturore dhe ushqime tradicionale, ku patën mundësi t’i shijojnë të gjithë pjesëmarrësit. Ky festival do të vazhdojë dhe sot, nga ora 10:00 dhe është paraparë të mbahen sesione diskutuese, të lexohen disa poezi nga libri “Litar vare veten”, nga autori Lendrit Qeli dhe do të përmbyllet me një shfaqje teatrale të titulluar “Ëndrra & Shpresa”, e cila ka për qëllim adresimin dhe promovimin e të drejtave të të rinjve për edukim kualitativ, profesion të paimponuar dhe të nevojës për qasje në programe të orientimit në karrierë. Në këtë shfaqje do të luajnë aktorët: Ibrahim Berisha, Leotrim Berisha, Linda Hyseni, Muhamet Ademi dhe Semra Keriq.Zëri

Image