'Unë jam Anemonë' promovohet në Gjakovë, sjell 25 rrëfime dhunimi

'Unë jam Anemonë' promovohet në Gjakovë, sjell 25 rrëfime dhunimi

Kultura November 15, 2019 - 10:23

Liridona Ahma


Dje në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë u bë promovimi i librit “Unë jam Anemonë”, i përgatitur nga shoqata “Medica Gjakova” në bashkëpunim me gazetaren dhe autoren Salie Gajtani-Osmankaq. Botimi i librit "Unë jam Anemonë" është një kontribut shtesë në kuadër të fushatës “Bëhu zëri im”, 20-vjetorit të bashkëpunimit dhe miqësisë kosovaro-gjermane, shkruan sot gazeta "Zëri".

Drejtoresha e “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, tregoi për gazetën “Zëri” se ideja për të realizuar këtë libër erdhi nga përditshmëria e punës së tyre. “Ne ballafaqohemi çdo ditë me rrëfime të tilla dhe nga përditshmëria e punës sonë e menduam që në kuadër të fushatës ‘Bëhu zëri im’ ta botojmë librin dhe ta publikojmë në kuadër të 20-vjetorit të bashkëpunimit dhe miqësisë kosovaro-gjermane”, tregoi Sada, duke thënë se edhe pse janë organizatë profesioniste për trajtimin e rasteve të tilla, procesi i realizimit ka marrë një kohë të gjatë deri në finalizimin e tij. Kjo për arsye se vetë përmbajtja e librit është një tragjedi, për të cilën nuk është folur e shkruar shumë në shoqërinë tonë.

Për realizimin e këtij librit zëri i të mbijetuarve është përcjellë nga këshillueset psiko-sociale të organizatës, gjithnjë duke marrë miratimin e të mbijetuarve, duke ruajtur konfidencialitetin dhe duke mos e dëmtuar procesin.

Siç ka bërë të ditur drejtoresha Sada, libri është botuar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Të gjitha 500 kopjet e botuara do të dhurohen. Rrëfimet në këtë libër janë shkruar nga autorja - gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq. Janë gjithsej 25 rrëfime, 24 prej tyre të grave, si dhe 1 rrëfim i një burri, ku secili paraqet copëza të shpirtit unike dhe të vërteta. Në këto rrëfime flitet për rastet të cilat kanë ndodhur në vende të ndryshme të Kosovës dhe janë të ndara nga njëra-tjetra. “Nuk është farë e lehtë për të mbijetuarit të tregojnë në detaje për historinë e tyre të tmerrshme të dhunimit”, shtoi Sada.

“Medica Gjakova” është organizatë që punon nga paslufta për përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Deri më sot në këtë organizatë kanë marrë trajtime psiko-sociale qindra e qindra të mbijetuara për të shëruar shpirtin dhe për të luftuar stigmën. Nga kjo organizatë thonë se për shkak të ndjeshmërisë shumë të madhe të temës nuk ka qenë e lehtë të realizohet ky libër. Vështirësitë qëndrojnë gjithnjë kur merret parasysh puna me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Mirëpo me profesionalizmin që ka “Medica Gjakova” dhe me punën e tyre të palodhshme është arritur të realizohet libri. Ky libër është titulluar “Unë jam Anemonë”, sipas lules, e cila po përdoret në Kosovë si simbol i solidarizimit me viktimat e dhunës seksuale. "Kur i afrohet ndonjë stuhi ajo mbledh petalet e saj për t’u ndjerë më e sigurt, që të mos i shkëputet asnjë pjesë, të mos i humbet asnjë petal. Stuhitë dita-ditës e forcojnë. Kjo është Anemonë”, shkruhet në përshkrimin e librit.

Libri i shumëpritur tani është në duart e lexuesve, të cilët do të përjetojnë bashkë me viktimat  dhimbjen e tyre dhe forcën e madhe, sepse aty gjendet shpresa se si këto gra pas dhimbjes kanë gjetur një rrugë që të jenë dëshmitare të gjalla të tmerrit dhe ta bëjnë këtë libër historik. Meqë “Medica Gjakova” për të mbijetuarat është shtëpia e tyre e dytë dhe duke ditur peshën e madhe të librit dhe trajtimit të menjëhershëm të tyre ato janë ndjerë më të lehtësuara dhe më të gatshme për t’u rrëfyer.

Libri do të promovohet edhe përtej kufijve të Kosovës dhe përmes tij synohet të përçohet zëri i të mbijetuarave, t’i japë jehonë vuajtjes së tyre dhe të mbetet dëshmi për atë që ka ndodhur. Promovimi në qytetin e Gjakovës u bë për shkak se “Medica Gjakova” ka selinë në Gjakovë, qytet i cili ende lëngon nga plagët e luftës. Në vitin 1999, menjëherë pas luftës, “Medica Mondiale” nga Gjermania hapi qendrën e parë për trajtimin psiko-social të rasteve që kanë përjetuar dhunë seksuale. Kjo qendër edhe sot vazhdon të funksionojë, duke dhënë shërbime për viktimat e luftës në gjithë territorin e Kosovës.

Promovimi i librit u përcoll me një diskutimi me panelistë, të cilët për 20 vjet me radhë kanë dhënë kontributin e tyre, duke u dhënë zë më shumë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë dhe të diskutojnë më tepër rreth librit dhe historive të tyre. Zëri