Barriera të panevojshme për librin, bibliotekat në gjendje letargjie

Barriera të panevojshme për librin, bibliotekat në gjendje letargjie

Kultura nëntor 15, 2019 - 10:26

Panairi i librit “Tirana 2019” nisi në Pallatin e Kongreseve edicionin e 22-të, duke bërë bashkë botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi, shkruan sot gazeta "Zëri". Në hapjen e tij botuesit u shprehën se problemet me librin nuk janë të pakta. Shqetësuese sipas tyre është edhe gjendja që kanë sot bibliotekat, në të cilat shihet se për furnizimin me libra pak bëhet. Në fjalën e tij kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, tha se kanë kaluar 22 vjet që nga 1998-a kur u organizua Panairi i Parë i Librit. Për botuesin Ymeri, është një rrugë e gjatë, e lodhshme edhe pasionante, por nuk kanë munguar problemet.

I pranishëm në hapje të tij, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ndër të tjera tha se bibliotekat në Kosovë dhe në Shqipëri kanë jo pak probleme kur bëhet fjalë për pasurimin me libra. “Ne përballemi me probleme jo të vogla. Bibliotekat publike si në Shqipëri dhe në Kosovë janë me probleme. Bibliotekat janë në gjendje letargjie. Është i domosdoshëm bashkëpunimi mes botuesve dhe institucioneve shtetërore”, tha Zeneli.

Në fjalën e tij kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës u bëri apel institucioneve t’i heqin barrierat për librin. “Na është premtuar se problemet burokratike do të vijnë duke u hequr, por në fakt ka ndodhur e kundërta, sepse neve nga janari i këtij viti na është shtuar taksa që duhet paguar në kufij me 6 për qind. Kjo është barrierë e panevojshme”, u shpreh Edon Zeneli.

Panairi i Librit u çel të mërkurën në Pallatin e Kongreseve dhe do ta përfundojë edicionin e 22-të të dielën. Zëri