Sislej Xhafa ia dhuron GKK-së veprën 'Padiglione Clandestino'

Sislej Xhafa ia dhuron GKK-së veprën 'Padiglione Clandestino'

Kultura November 16, 2019 - 09:05
Detajet

Ditën e djeshme në Galerinë Kombëtare të Kosovës u mbajt konferencë për medie me artistin e njohur Sislej Xhafa dhe me drejtoreshën e Galerisë, Arta Agani, shkruan gazeta "Zëri".

Liridona Ahma

Në këtë konferencë Xhafa erdhi për të komunikuar personalisht lajmin që njërën prej veprave të tij më të rëndësishme ka vendosur t’ia bëjë dhuratë Galerisë Kombëtare të Kosovës, ku dhe nënshkruan kontratën për dhurimin e saj. Vepra të cilën e dhuroi Xhafa titullohet “Padiglione Clandestino”, e punuar në vitin 1997, vepër kjo e cila e ka lansuar Sislejin në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor.

Sa i përket veprës, drejtoresha Agani tha se kanë bashkëpunuar shumë herë me Xhafën dhe ky bashkëpunim ka qenë kthesë e madhe në karrierën e saj. “Sipas Xhafës, realiteti është më i fortë se arti dhe si artist ai nuk dëshiron ta pasqyrojë, por ta vërë në dyshim atë. Ai e vë në dyshim në mënyrë të pamohueshme.
Në veprat e tij gjen përgjigje nga shpirti i një artisti që flet për brezat e zhvendosur, për realitetin e zhvendosur dhe të keqzhvendosur”, shkruan Agani në katalogun e Galerisë Kombëtare për veprën.

Në pavijonin shqiptar në 1997-n ai me forcë e zhvendosi veten nga vendi i tij si një artist me zhvillim dhe u fut në ambientin e Bienales së Venecias i veshur me fanellën kombëtare të Shqipërisë, i gatshëm për të bashkëvepruar me vizitorët, të cilët i luste të luanin futboll me të. Xhafa fizikisht kërkonte një vend me diell si një artist i ri dhe në të njëjtën kohë pretendonte një identitet të njohur kombëtar.

Sislej Xhafa tregoi se ai zakonisht në vepra e mban një distancë sikurse nuk i ka punuar ai e pastaj kthehet prapë tek ato, disi ka një raport patetiko-posesiv.

“Kur kam qenë në 1996-1997-n për mua ka qenë shumë me rëndësi, sepse i takoja kulturës së emigrimit. Babiloni arkitektonik gjithnjë lëviz dhe për mua ka qenë me rëndësi që ta sfidoj sistemin e artit dhe të sjell qëndrim të ri të artit”, thotë Xhafa, duke treguar se
fanella e kuqe është e lyer në trupin e tij me ngjyrat e fëmijëve, ndërsa në çantë ka një radio të vogël, ku dëgjohet një pjesë e lojës mes Italisë dhe Polonisë ndërkohë që ai ec.

Ky pra ka qenë një pavijon klandestin, sepse nuk ka qenë i ftuar, ilegal, kështu faktikisht ka qenë njëfarë konfrontimi me një qëndrim të ri të artit bashkëkohor.

Kjo vepër ishte e para që ia solli artistit vendin e merituar në skenën ndërkombëtare të artit, duke qenë shumë vendimtare në karrierën e tij si artist. Vlen të përmendet gjithashtu që secili kritik, teoricien i artit dhe kushdo që shkruan për veprimtarinë e tij e përmend këtë vepër “Padiglione Clandestino” si njëra prej më të rëndësishmeve.

Artisti tha se ka nderin të dhurojë këtë vepër për vendin e tij dhe posaçërisht për gjeneratat e reja. Me këtë vepër, e cila është ndër veprat e para të tij dhe më të rëndësishmet, autori dëshiron ta pasurojë Galerinë Kombëtare, duke shpresuar të vazhdojë të pasurohet njëjtë edhe nga artistë të rijnë dhe shumë shpejt të kemi një koleksion të artit bashkëkohor.
Sipas drejtoreshës Agani, me këtë vepër afrohet tek 1000-shi numri i veprave në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Akti për të dhuruar një vepër ka qenë një akt personal i artistit, por gjithashtu duke pasur parasysh se Galeria ka një kapacitet të kufizuar sa i përket mundësisë së blerjes së veprave. “Shpresojmë që ky të jetë hapi i parë i një procesi pozitiv, ku së shpejti Galeria do të mundë të ketë një objekt të ri më të madh, në të cilin do të bëjmë edhe ekspozita të koleksioneve. Shumica janë ekspozuar herë pas here pjesërisht në ekspozita tematike, por në tre vjetët e fundit kemi bërë pauzë, sepse kemi disa ngecje të vogla dhe po presim të përfundohet projekti ‘Strehimorja e artit’, që e kemi me Komunën”, shtoi Agani.

Më tutje drejtoresha theksoi se Galeria ka vepra vërtet historike nga artistë të ndryshëm, si atë të Xhevdet Xhafës, po ashtu “Hamalli” i Muslim Mulliqit, si dhe shumë vepra të ndryshme nga ndërkombëtarë, si koleksioni i Olimpiadës i vitit 1984. Galeria e mban kopjen e dytë të koleksionit të grafikave të Olimpiadës së Sarajevës, ku janë në komision shumë artistë të njohur, si Michelangelo Pistoletto. “Ky koleksion është për t’u admiruar se si është marrë në vitet e 80-ta dhe shumë shpejt të gjitha pritet të ekspozohen”, tregoi Agani.

Dhurata të ndryshme i kanë bërë Galerisë edhe disa artistë të tjerë gjatë vitit të fundit, duke përfshirë këtu dy vizatime nga profesori Rexhep Feri, dy vizatime nga Shoqëri Gjokaj, një piktor i cili jeton në Suedi etj./ZËRI