Promovohet libri që u bën homazhe 1.400 fëmijëve të vrarë të Kosovë

Promovohet libri që u bën homazhe 1.400 fëmijëve të vrarë të Kosovë

Kultura November 19, 2019 - 10:12

Liridona Ahma

Dje, në orën 12:00, në bibliotekën kombëtare "Pjetër Bogdani", në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981 – 1999”, nga autorët Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi. Ky libër u kushtohet më shumë se 1.400 fëmijëve martirë të Kosovës, të vrarë e të masakruar nga Serbia në periudhën e viteve 1981 – 1999. Libri synon të nxjerrë Serbinë para përgjegjësisë së krimeve që ka bërë, duke kërkuar drejtësi për martirët që listohen në të. Falë punës së zellshme e të palodhshme të dy autorëve ky libër voluminoz shpalos faktet më të tmerrshme të vrasjes, të zhdukjes e të dëbimit të fëmijëve që nga nënat shtatzëna e deri te fëmijët 18 vjeç. Fakte  këto të cilat  autorët i  përmblodhën nga çdo komunë e Kosovës. Hapja e promovimit u bë nga kori i fëmijëve “Okarina”, nën udhëheqjen e Elikona Hysaj-Shalës, të cilët në mënyrë vullnetare dhanë kontributin e tyre duke kënduar këngën “E duam lumturinë”, shkruan sot gazeta "Zëri"

Nusret Pllana, autori i librit, gjatë promovimit tha se lexuesi, kudo që do të jetë ai dhe kushdo që do ta ketë në duar, do ta përjetojë në një përmasë krejt tjetër tragjedinë e luftës në Kosovë, sepse vrasja dhe masakrimi i fëmijëve është vrasja dhe masakrimi i ardhmërisë së një populli. “Sepse kur janë vrarë e janë masakruar fëmijët në Kosovë në një luftë me përmasa gjenocidi, ku ka familje që janë shuar fare, ku ka familje që u ka mbetur vetëm një fëmijë e disa as sot nuk e dinë se ku i kanë eshtrat fëmijët e tyre. Janë shkelur normat elementare të të drejtave të fëmijëve sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, e miratuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuar më 20 nëntor 1989”, tha Pllana ndër të tjera.

Në këtë promovim u tha se  kjo plagë e madhe e Kosovës nuk është shëruar as sot e kësaj dite e as nuk do të shërohet asnjëherë një jetën e atyre që u janë masakruar fëmijët. Autori më tej ka theksuar që në këtë libër është ngritur si çështje edhe ajo se çfarë bëjnë institucionet tona dhe ato ndërkombëtare për dënimin e këtyre krimeve të rënda ndaj fëmijëve të pafajshëm shqiptarë. “Lexuesi i këtij libri do të pyesë se çfarë kanë bërë institucionet tona shkollore, shkencore dhe shtetërore, po ashtu edhe ato ndërkombëtare për dënimin e këtyre që bënë këtë gjenocid ndaj fëmijëve të pafajshëm. Të dëshmohet se vrasja dhe masakrimi i tyre është pjesë e vrasjes dhe e masakrimit të ndërgjegjes shqiptare, sepse ata vetëm rastësisht ishin fëmijë të shqiptarëve, ku edhe pësuan nga armiqësia shekullore me serbët”, shtoi Pllana.

Sipas autorit, e keqja është se ne jemi vrarë me dorën tonë, sepse institucionet qe 20 vjet nuk i kanë përmendur kurrë këta fëmijë. “Ne heshtëm e heshtja na kushtoi tepër shtrenjtë. Evropa asnjëherë nuk e nxori qoftë një rezolutë të vetme për ta dënuar krimin ndaj fëmijëve shqiptarë, për t’i dënuar dhunimet e më shumë se 20.000 femrave shqiptare, për ta dënuar gjenocidin për ardhmërinë tonë”, theksoi kështu Pllana.

 

“Fëmijët martirë të Kosovës 1981 - 1999”, një vepër lapidare që do të udhëtojë nëpër botë


Një e veçantë tjetër e kësaj pune të sistemuar brenda ballinës është jo vetëm mbledhja e fakteve, por edhe emrat e bukur  shqip që kishin pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve të vrarë. Kjo dëshmon se populli ynë kishte zënë të mësohej me anën e bukur të jetës dhe se emrat e fëmijëve paraqesin anën më të ndritshme të identitetit tonë kombëtar.

Në anën tjetër bashkautorja Hanëmshahe Ilazi tha gjatë promovimit se ky është gjak, i cili nuk duhet të falet. Ajo edhe vetë ishte e përfshirë në luftën më të pabarabartë të popullit tonë, luftë që solli pasoja të papara për popullin e Kosovës. “Nga kjo periudhë, që la gjurmë të pashlyera në jetën time, mua shpesh më dëftohen ato fytyra fëmijësh të pashpresa në ankthe të natës. Nga ajo periudhë lindi ditari im ‘Drenicë jemi me ty’ dhe libri më rrëqethës ‘A vriten engjëjt’. Ky libër flet për vrasjen e 1.300 fëmijëve, prej tyre dhe 8 fëmijë serbë, 8 romë e ashkalinj dhe 2 boshnjakë”, theksoi autorja, e cila tregoi se kishte disa diskutime me bashkautorin derisa vendosën për emrin e këtij libri, sepse ajo dëshironte ta titullonte “Rivrasja e Engjëjve”.

“Mendoja ta pagëzoja librin ‘Rivrasja e engjëjve’, sepse ne po i rivrasim tani vetë edhe pas 20 vjetësh, ende nuk kemi bërë gjë për zbardhjen e gjakut të këtyre fëmijëve që na sollën lirinë e kriminelët shëtisin të lirë”, tregoi Ilazi.

Në shenjë falënderimi për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe në shenjë respekti e falënderimi për ndihmën e përkrahjen e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe në veçanti të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, libri është përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Në kuadër të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve dhe në nderim të më shumë se 1.400 fëmijëve tanë martirë, të vrarë dhe masakruar nga Serbia, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, në kuadër të “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri, organizon promovimin e librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981 - 1999” më 21 nëntor 2019. Po ashtu më 22 nëntor do të promovohet në Munih, më 23 nëntor në Bruksel, më 25 nëntor në Hagë dhe më 27 nëntor në Stokholm. Të gjitha këto promovime do të mbahen nën kujdesin e ambasadorëve në qendrat e lartcekura evropiane.

Vitin e ardhshëm në shenjë të dhimbjes së madhe për ta dhe në shenjë respekti të përjetshëm për rënien e tyre në altarin e lirisë, emrat e tyre do të skaliten në obeliskun 30m të gjatë përballë aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe do të mbillen fidanë po aq sa është numri i të vrarëve.Zëri
 

Image