'Arturo Ui' vazhdon të duartrokitet në Teatrin Kombëtar

'Arturo Ui' vazhdon të duartrokitet në Teatrin Kombëtar

Kultura November 23, 2019 - 12:21
Detajet
Image

Shfaqja “Arturo Ui” është rikthyer në programin e rregullt të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ajo u dha reprizë mbrëmë dhe, ndonëse ka kaluar më tepër se një vit që nga premiera saj, kjo shfaqje vazhdon të mbledhë publik. Rikujtojmë se “Arturo Ui” është shfaqja e fundit që regjisori Bekim Lumi e finalizoi para se të vdiste, në gusht të vitit 2018, shkruan gazeta "Zëri".

“Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror Bertoltt Brecht (1898 – 1956), nga regjisori Bekim Lumi dhe, si e tillë, është prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Këtë shfaqje regjisori e realizoi si testament artistik dhe arriti ta finalizojë për ta prezantuar premierë në muajin qershor të vitit 2018, ani pse shëndeti s’i premtoi ta shihte edhe vetë këtë premierë, pasi atë mbrëmje u detyrua të shtrihet prapë në spital. Realizimin e kësaj shfaqjeje në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike në paraqitjen e tij të fundit para gazetarëve Lumi e konsideroi si plotësim të një ëndrre të kamotshme.

Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, i cili gjithashtu luan në kitarë. Asistent-regjisor është Bashkim Ramadani. Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Majlajdo Gala, skenografinë Mentor Berisha, përderisa kostumografinë Alma Krasniqi.

“Arturo Ui” u shkrua në vitin 1941 nga dramaturgu dhe nga regjisori i shquar gjerman e botëror Bertolt Brecht (1898 –1956) gjatë kohës së mërgimit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë). Ai asokohe përndiqej nga fashizmi dhe po e priste vizën për shpërngulje në SHBA. Edhe pse ngjarjet e kësaj drame janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të asaj kohe në Austri dhe në Gjermani.

Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet e ’30 ta shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame.

Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë e autorit Bertolt Brecht ndërlidhet me shumë nga trendët dhe zhvillimet e përçuditshme nëpër botë e edhe me Kosovën e pasluftës. Si e tillë ajo vlerësohet si njëra nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit 20.

“Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë më parë në Kosovë. Sivjet për t’u inskenuar, përveç qëllimeve artistike e estetike, janë edhe të paktën dy arsye më shumë: 120-vjetori i lindjes së Bertolt Brechtit dhe 20-vjetori i artit dhe i krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Rikujtojmë së regjisori Lumi për disa vite u përball me sëmundjen e kancerit. Meqë terapia të cilën e merrte në Gjermani ishte tejet e kushtueshme, komuniteti artistik u mobilizua me një fushatë për mbledhjen e të hollave të nevojshme për pagesën e spitalit./ZËRI