Përurohet në Fushë Kosovë shtatorja e Adem Jasharit

Përurohet në Fushë Kosovë shtatorja e Adem Jasharit

Kultura November 29, 2019 - 10:24
Image

Më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, në Fushë Kosovë u zbulua shtatorja e Adem Jasharit. Ceremonia e përurimit nisi me një minutë heshtje për të gjithë dëshmorët e kombit dhe për nder të viktimave të tërmetit të fundit, që ndodhi në Shqipëri.  

Shtatoren, e cila është e gjatë tri metra e dhjetë centimetra, e ka punuar skulptori ferizajas Agon Qosa. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin kryetarë të komunave, gjeneralë të UÇK-së, deputetë, përfaqësues nga shoqata të dala nga lufta, si dhe familjarë të dëshmorëve të kombit.

Burim Berisha, kryetar i Komunës së Fushë Kosovës, në fjalën e rastit fillimisht shprehu ngushëllime dhe solidaritet për viktimat e tërmetit në Shqipëri, më pas u uroi mirëseardhje e i uroi të pranishmit e të gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e Flamurit kuqezi. Në përkujtimin e tij për dëshmorët e kombit i pari i Komunës tha se ky manifestim është i veçantë dhe historik. “Ky është monument në të cilin është përjetësuar figura më emblematike që njeh populli shqiptar. Është përjetësuar dinjiteti dhe karakteri i shqiptarëve. U përjetësua lufta historike e Kosovës, paqja dhe liria e popullit tonë”, tha Berisha.   
Shtatorja gjendet në oborrin e shkollës “Mihan Grameno”, në një park, i cili do të marrë emrin e legjendarit të kombit. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Rifat Jashari dhe Bekim Jashari, të cilët nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Gjatë fjalimit të tij Bekim Jashari falënderoi secilin prej organizatorëve, të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar që shtatorja e komandantit legjendar të jetë edhe në qytetin e Fushë Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, i cili ishte edhe pjesë e Këshillit Organizativ, për këtë u falënderua dhe tha se ndihet shumë i lumtur që kjo ide u realizua dhe e zbulua në Fushë Kosovë. “Është nder dhe respekt, lavdi për komandantin legjendar dhe për të gjithë dëshmorët e kombit”, tha Qeriqi, i cili me rastin e kësaj ceremonie  ndau dhe disa dekorata për ata, të cilët ndihmuan në realizimin e projektit. U dekorua kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha për mbështetjen e madhe që ka dhënë gjatë këtij projekti, gjithashtu dy donatorë dhe skulptori Agon Qosa për punën e tij të mrekullueshme.Zëri