“Dodona” mirëpret shfaqjen për jetën e transgjinores Charlotte von Mahlsdorf

“Dodona” mirëpret shfaqjen për jetën e transgjinores Charlotte von Mahlsdorf

Kultura December 02, 2019 - 10:22
Image


Me tekstin “Unë jam vetë grua”, nga Doug Wright, me regjisorin Kushtrim Koliqi dhe me aktorin Adrian Morina, organizata joqeveritare “Integra” në bashkëpunim me “Miza n’skenë” ka realizuar projektin teatror, që përqendrohet në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorfit, transgjinores nga Gjermania, që i ka mbijetuar sistemit nazist dhe Stasit.

Shfaqja fituese e çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe në intervistat e Doug Wrightit me transgjinoren gjermane, njëherësh tregtaren e antikuarëve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlottes të vitit 1992, të titulluar “I am my own wife”, shkruan sot gazeta "Zëri"

Për portretizimin e plotë të Charlottes gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues, ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm të luajë rreth tridhjetë role të ndryshme. Siç bën të ditur ekipi realizues, titulli i shfaqjes ka dalë nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeçe nëna e saj, duke mos pasur asnjë ide, i tha: “Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë burrë tani. Kur ke ndër mend të martohesh?”, së cilës pyetje Charlotte iu përgjigj: “Kurrë, mamaka. Unë jam martuar me veten”.

Sipas Wrightit, në fillim Charlotte paraqitet si një heroinë e vërtetë - një e mbijetuar nga nazistët dhe komunistët në Gjermaninë Lindore. Sidoqoftë, po ashtu bëhet e qartë se mbijetesa e saj në atë klimë të pasigurt kërkonte bërjen e shumë zgjedhjeve të dyshimta morale. Për të kontekstualizuar këtë aftësi për të mbijetuar shfaqja “Unë jam vetë grua” jo vetëm që kronikon jetën e Charlottes, por sipas Hedy Weissit të “Chicago Sun-Times” ajo gjithashtu krijon "një portret të qartë të Gjermanisë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, një përrallë morale komplekse për atë që i duhet bërë një njeriu për të mbijetuar dhe një meditim intrigues për gjithçka.

Ky tekst është shqipëruar nga Artur Lena, skenografe dhe kostumografe e këtij prodhimi është Njomëza Luci, kompozitor Trimor Dhomi, asistent-regjisor Bashkim Ramadani, videorealizator Lum Çitaku dhe disenjator i dritave Skender Latifi.

Premiera e shfaqjes “Unë jam vetë grua” është më 04 dhjetor 2019, prej orës 19:30 dhe repriza e parë më 05 dhjetor 2019, prej orës 19:30, në teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Kjo shfaqje realizohet në bashkëpunim me CDF-në, “The Global Fund”, “Rockefeller Brother Funds”, teatrin “Dodona” dhe me Komunën e Prishtinës. Ky projekt është mbështetur nga programi “Kultura për ndryshim”, që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa zbatohet nga qendra “Multimedia” e “Goethe Institute”.

Kushtrim Koliqi, regjisor i filmit dhe i teatrit në Kosovë dhe aktivist për të drejtat e njeriut, po përpiqet të përdorë artin dhe kulturën për të trajtuar tema të veçanta e të ndjeshme. Ai ka përdorur për më shumë se një dekadë artin e tij për të shtyrë përpara tema të ndjeshme, që lidhen me drejtësinë tranzicionale dhe që kanë të bëjnë me të kaluarën. Puna artistike e Koliqit në kombinim me punën e tij të ditës si drejtor ekzekutiv i OJQ-së së Kosovës “Integra”, e cila merret me çështje të drejtësisë tranzicionale, ka rezultuar në shumë projekte të suksesshme, që u përqendruan në viktimat civile të luftës.

Një nga projektet më të mëdha për të cilët kanë punuar Koliqi dhe “Integra” është “Njerëzit dhe kujtimet flasin”Zëri