Gentian Koçi, fitues në programin “Media” me projektin e tij në film

Gentian Koçi, fitues në programin “Media” me projektin e tij në film

Kultura December 02, 2019 - 10:27

Një tjetër aplikant shqiptar është fitues në programin “Media” të “Evropës Krijuese”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën me dije se regjisorit Gentian Koçi, me shtëpinë e tij filmike “Artalb Film”, me projektin më të fundit “A Cup of Coffee and New Shoes On”, i akordohet një grant në thirrjen për propozime “Support to Single development - mbështetje për zhvillimin e filmit”. “Shumë urime Gentian Koçi dhe suksese në përfundimin e këtij filmi. Rruga do të jetë e gjatë deri në përfundimin e tij, por një mbështetje nga ‘Creative Europe’ / ‘Evropa Krijuese’ është një ogur i mirë”, shprehet QKK-ja.

Regjisori Koçi është artisti i dytë shqiptar (pas të ndjerit Artan Minarolli me filmin “Delegacioni”) që del fitues në këtë thirrje për propozim. Gjatë viti 2019 në programin “Evropa Krijuese”, në thirrjen për zhvillimin e filmit, aplikuan 342 projekte nga të gjitha vendet që marrin pjesë në këtë program e fitues dolën rreth 50 projekte, ndër të cilat edhe regjisori Koçi në kategorinë “Fiction”.

“Media Desk Albania”, zyra shqiptare e programit “Evropa Krijuese” në Shqipëri, fton këdo që është i interesuar të aplikojë në të gjitha thirrjet e programit. Ministria e Kulturës, partneri kryesor shqiptar i industrisë krijuese shqiptare, në programin “Evropa Krijuese” paguan një kuotë prej 150 mijë eurosh në vit për pjesëmarrje në këtë program.

Si regjisor Gentin Koçi është i vlerësuar me filmat e tij. Kujtojmë që filmi i tij “Dita zë fill” pati premierën në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste, Ornela Kapetani.Zëri