Teatri Kombëtar, në pritje të një udhëheqësi artistik

Teatri Kombëtar, në pritje të një udhëheqësi artistik

Kultura dhjetor 03, 2019 - 10:29
Image

Ka më tepër se gjashtë muaj qëkur Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa drejtor artistik. Kjo pozitë mbeti e zbrazët kur përfundoi mandati i ish-drejtorit artistik, Agon Myftari.

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në muajin qershor të vitit 2019, pas një procesi të gjatë vlerësimi, të testimit me shkrim dhe të intervistës me gojë, në mbledhje kishte zgjedhur Fatos Berishën si drejtor të ri artistik të këtij institucioni.

Kandidati Fatos Berisha i kishte plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe do ta udhëhiqte mbarëvajtjen e punëve artistike dhe kreative në Teatrin Kombëtar të Kosovës për katër vjetët e ardhshëm. Ai kishte dhënë dëshmi bindëse se mund ta drejtojë në planin artistik institucionin më të madh teatror në vendin tonë. Mirëpo ndonëse kishte aplikuar vetë në konkursin e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit, regjisori Fatos Berisha ka vendosur të mos e pranojë këtë detyrë, për arsye profesionale, siç ka deklaruar ai. Fatos Berisha ishte vlerësuar si më i miri, duke marrë 93.89 pikë gjatë testit dhe intervistës. I dyti më radhë ka dalë Ben Apolloni, me 76.93 pikë. Prej kandidatëve të tjerë Sokol Plakolli ka marrë 69.78 pikë, Valina Muçolli 59.98 dhe Avdi Gërvalla me 45.67 pikë. Këto kanë qenë rezultatet e konkursit publik të shpallur më 22 maj të këtij viti, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, Fisnik Ademi, tregoi për gazetën “Zëri” se tani janë në pritje të hapet konkursi i ri për pozitën e udhëheqësit të ri artistik. “Për pozitën e një udhëheqësi artistik ne kemi kërkuar një rekomandim prej Zyrës Ligjore të Ministrisë se Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit dhe ende jemi në pritje derisa të hapet konkursi”, tha Ademi, duke shtuar se kanë gjetur një ushtrues detyre derisa të vijë një udhëheqës. “Për momentin ne kemi emëruar Armond Morinën si ushtrues detyre, i cili është duke punuar shumë mirë, punët po funksionojnë në mënyrë të rregullt derisa të vijë një udhëheqës i ri”, theksoi Ademi.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë dhe me Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit që të marrë informacione se kur pritet të hapet konkursi i ri për këtë pozitë, por MKRS-ja ka refuzuar të japë përgjigje sa i përket kësaj çështjeje, duke na drejtuar te Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit nuk ka konkurs të ri për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aty në nëntor është publikuar vetëm një njoftim për anulimin e konkursit për pozitën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Duke u bazuar në vendimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me nr. të protokollit 406, të datës 22.10.2019, për miratimin e dorëheqjes së kandidatit të përzgjedhur për pozitën drejtor artistik në TKK dhe shfuqizimin e vendimit të datës 21.06.2019, me nr. protokolli 2597/2019, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit bën njoftimin për anulimin e konkursit të shpallur më datën 22.05.2019 për pozitën drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, shkruan në njoftimin e Ministrisë.

Rikujtojmë se i fundit që udhëhoqi programin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte regjisori Agon Myftari. Ai nuk ka aplikuar për një mandat të dytë. Për gazetën “Zëri” ai pati deklaruar se ka konsideruar që ka ardhur koha t’i përkushtohet profesionit të tij si regjisor. “Mendoj se është e rëndësishme dhe moment i duhur që unë t’i kthehem me vrull punës sime parësore si regjisor teatri, ku mendoj se e kam energjinë dhe potencën të kontribuoj maksimalisht në skenën teatrore me punën time parësore si regjisor. Deshëm ose jo, pozitat udhëheqëse ose angazhimet e tjera të pengojnë në punën krijuese prej artisti, andaj dua t’i përkushtohem regjisë, pas një mandati të plotë si udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, tha Myftari. Më tutje ai shtoi që konsideron se ky mandat ka qenë një përvojë e mirë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që ka TKK-ja.Zëri