“Identiteti  i pazbuluar” dhe “Leksikon i termave të fonetikës dhe të fonologjisë” promovohen para studiuesve

“Identiteti  i pazbuluar” dhe “Leksikon i termave të fonetikës dhe të fonologjisë” promovohen para studiuesve

Kultura December 04, 2019 - 10:57
Image

Në hapësirat e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës u promovuan të martën librat “Identiteti  i pazbuluar”, i autorit Kujtim Shala, si dhe “Leksikon i termave të fonetikës dhe të fonologjisë”, nga autori Bardh Rugova. Në ceremoninë e promovimit panelistë ishin akademikët: Ali Aliu, Rexhep Ismajli, profesor Nysret Krasniqi. Të dyja këto libra studimorë pritet t’i pasurojnë bibliotekat e studiuesve dhe të dashamirëve të fushave përkatëse,shkruan sot gazeta "Zëri".

 

Një studim që flet për letërsinë si fushë thelbësore identitare

Gjatë promovimit në ASHAK studiuesi dhe profesori Nysret Krasniqi foli për librin e Kujtim Shalës, për të cilin tha se në vazhdimësi e çmon klasiken. “Autori Kujtim Shala në vazhdimësi e çmon klasiken. Ky është parim, i cili bën thirrje ta ruash atë që e ke, ta kundrosh në variante pa frikën e esencializmit ose të izolimit kulturor. Kujtim Shala e di se identitarja është e vetmja udhë drejt universales, si e tillë kur ndërlidhet me letërsinë e shkruar nënkupton traditën e emrave të autorëve nacionalë. Mbi këto premisa del edhe titulli i studimit, i cili fokuson dy shtylla themelore, filozofiken për fenomenet letrare të pavlerësuara, si dhe debatin për autorët e vlerësuar, por tashmë të rivlerësuar si synim për ta rindërtuar kanunin letrar shqiptar”, u shpreh Krasniqi.

Studiuesi më tutje nga tregoi se autori Shala në këtë libër nis me tri tekste vepra fenomenologjike si pjesë e parë, ndërsa në pjesën e dytë sjell tekste për autorët e traditës në kuptimin eliotian të nocionit. “Tri veprat fenomenologjike të titulluara ‘Letërsi dhe identitet’, ‘Identiteti i pazbuluar’ dhe ‘Kryeveprat gegë” identitaren e çmojnë në sistem filozofiko-teorik, ndërsa dhjetë veprat e autorëve të traditës sikur sfidojnë vdekjen e autorit të propozuar nga Roland Barti”, theksoi Krasniqi.

Në anën tjetër autori Shala në fjalën e tij të rastit tregoi se në vitin 2012 i është dhënë ideja që të mbante një ligjëratë me temën “Letërsia dhe identiteti”. “Nga qershori kur mu dha ideja deri në nëntor pata hapur nga fillimi faqet e rënda të letërsisë shqipe për t’i kërkuar trajtat e identitetit në letërsi, të gjitha të manifestuara në fund të fundit si identitet letrar. Me këtë zbulim vijova kërkimin përgjatë viteve, ndërsa vepra e mbaruar është libri që nisi si një ligjëratë e parë mbi çështjen e madhe letërsi e identitet”, tregoi Shala.  

Autori ka mendimin se letërsia dhe identiteti nuk janë fusha të ndara, meqë letërsia me shënime e identifikime është fushë thelbësore identitare. Kështu kërkimi i identitetit në faqet e fiksionit letrar është një kërkim letrar krejt i ndërlidhshëm.

Libri është strukturuar në 4 pjesë tematike dhe metodike, të cilat e lidhin kërkimin sistematik dhe e propozojnë atë të lidhur. “Çështja e identitetit, si ajo e identitetit letrar bëhet krejt e ndërlidhshme me modernitetin”, tha ndër të tjera autori.

 

Studiuesve u dhurohet një leksikon i munguar i fonetikës dhe i fonologjisë

 Për veprën tjetër të botuar nga ASHAK-u “Leksikon i termave të fonetikës dhe të fonologjisë”, të autorit Bardh Rugova foli akademiku Rexhep Ismajli. Para së gjithash ai tregoi edhe për jetën e për veprimtarinë e Bardh Rugovës. “Dua të kujtoj se profesori Bardh Rugova i përket brezit të studiuesve të formuar në vitet ’90-a. Në rrethanat e këtij brezi studiuesish e intelektualësh, përveç vullnetit të madh për dije dhe kureshtje intelektuale duhet veçuar dy përvoja të skajshme. Në njërën anë janë fillimet në rrethanat e shkollimit të palejuar dhe mungesa e komunikimit me pjesë tjera të botës shqiptare, në anën tjetër vazhdimi në një periudhë lirie me hapjen e plotë të komunikimeve”, tregoi Ismajli.

Më tutje tregoi se në fushën studimore Rugova njihet për një varg studimesh të botuara nëpër revista dhe nëpër organe shkencore brenda e jashtë vendit. “Ai është autor i veprave të veçanta siç janë ‘Gjuha e gazetave’ në vitin 2009 si studim i parë në vendin tonë në këtë drejtim, ‘Imazhi i shqiptarit’ në ‘New York Times’, ‘Hyrje në gramatikë teksti’ etj”, theksoi Ismajli, i cili e çmoi dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishme veprën e Rugovës, e cila është vepër autoriale, e hartuar në formë leksikoni me rreth 500 terma njësi, me një interpretim autorial, me shembuj konkretë. “Procesi i shpjegimeve të përmbledhura te ky libër është konciz. Autori në këtë libër ka arritur të bëjë një paraqitje relativisht të plotë të nocioneve dhe të koncepteve konkrete, krejtësisht specifike dhe të zgjeruara mbi studimet e gjuhës shqipe”, tha ndër të tjera Ismajli.

Bardh Rugova, autori i këtij libri, falënderoi dhe tregoi idenë për botimin e tij. “Ideja për këtë libër ka qenë nga dëshira për të pasur një tekst shkollor për fonetikën dhe për fonologjinë. Në fakultet e kemi pasur gjithmonë problemin e literaturës në gjuhën shqipe dhe kishte nevojë për të pasur një tekst tjetër, një libër strukturalist”, tha Rugova, duke shtuar se e vetmja zgjidhje ishte që të kishin një brez në të cilin të gjitha dijet e fushave të ndryshme do të mundë të gërshetoheshin. Kështu libri nisi si pjesë e një projekti, i cili përfshin edhe fusha të tjera të gjuhësisë, të sociolinguistikës e të fonetikës, të cilave do t’u vijë radha për t’u promovuar.Zëri