Baleti i Kosovës prezanton një shfaqje për trazirat e viteve 1997 - 1998 në Shqipëri

Baleti i Kosovës prezanton një shfaqje për trazirat e viteve 1997 - 1998 në Shqipëri

Kultura December 05, 2019 - 10:29
Image

Për të katërtën herë me radhë balerinët e Trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës do të ngjiten në skenë sivjet për të prezantuar një premierë. Bëhet fjalë për baletin e titulluar “Exil”, koreografinë e të cilit e ka punuar Eno Peçi. Në konferencën për medie, e cila u mbajt të mërkurën, ekipi i Baletit Kombëtar të Kosovës shpalosi informacione për shfaqjen “Exil” të Eno Peçit. shkruan sot gazeta "Zëri".

Gjatë konferencës koreografi Peçi tregoi se ngjarja në shfaqjen e tij bazohet në ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve 1997 - 1998. “Shfaqja quhet ‘Exil’, kurse historia e saj bazohet në vitet 1997 - 1998, saktësisht në ngjarjet qe kanë ndodhur në Shqipëri dhe nuk është autobiografia ime. Në balet kam marrë dy familje, të cilat kanë probleme familjare për shkak të situatës në të cilën ndodhen dhe duken shqetësimet e tyre që mundohen t’i dërgojnë fëmijët diku, ku ata kanë të ardhme më të mirë. Familjet kanë problemet e tyre, por fati i tyre dhe përpjekja është e njëjtë”, tregoi Peçi.


Ai u shpreh shumë i lumtur që ka bashkëpunuar me Trupën e Baletit të Kosovës dhe është i mahnitur me punën e balerinëve. “Sa i përket bashkëpunimit, unë erdha me shumë kënaqësi, sepse jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk shoh ndonjë ndryshim të madh. Për ftesën që më bëri teatri mendoja të sjellë ‘Exil’-in, sepse u përket të gjithë shqiptarëve anembanë dhe është një pjesë që i përshtatet shumë baletit të Kosovës”, duke shtuar se balerinët kanë punuar aq shumë, saqë është mahnitur me punën e tyre dhe me kualitetin e punës. “Për sa i përket kualitetit, kemi punuar aq shumë, saqë nuk merret me mend, kemi punuar nga mëngjesi deri në darkë. Jemi përkushtuar aq shumë, saqë s’kemi parë ditën me sy. Balerinët kanë qenë shumë të përkushtuar që më kanë mahnitur. Unë lëviz shumë edhe në teatrot tjera nëpër botë dhe jam mahnitur si kanë arritur me punën e tyre një kualitet, i cili nuk mund të krahasohet me teatrot tjera nëpër botë”, përfundoi koreografi Peçi, i lindur në Tiranë. Ai u arsimua në Akademinë e Baletit të Tiranës dhe në shkollën e baletit “Wiener Staatsoper” në Operën Shtetërore të Vjenës. Në vitin 2000 ai iu bashkëngjit baletit të “Wiener Staatsoper”-it. Në 2003-n u emërua demi-solist dhe në 2009-n solist i “Ballett der Wiener Staatsoper” dhe “Volksoper”. Që nga viti 2009 Eno Peçi është gjithashtu aktiv si koreograf.

E Kreshnik Musholli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha se shfaqja do të zgjatë rreth 1 orë dhe se do të jetë një shfaqje e suksesshme. Ai bëri falënderime për të gjithë që kontribuuan për realizimin e shfaqjes. Duke nisur nga balerinët, Eno në veçanti, ekipi tekniko-artistik, punëtorët e ndriçimit, rrobaqepësit etj.

Asistente e shfaqjes “Exil” është Alisa Gjoni, kurse kostumet i ka punuar Shemsi Avdiu.

“Balerinët kanë punuar në kushte të rënda, të cilat janë tashmë të njohura për të gjitha mediet; si problemi me ujërat e zeza. Mirëpo pavarësisht kushteve, sa i përket projektit, mendoj se do të dalë një shfaqje shumë e suksesshme, besoj se do të jetë fillimi i një bashkëpunimi më afatgjatë”, tha Musholli.

Balerinët tjerë treguan eksperiencën e tyre gjatë punës me koreografin Peçi.
Balerini Muhamet Bikliqi tha se Eno u ka ndihmuar shumë. “Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, si nga ana teknike dhe nga ajo artistike, sepse të gjitha njohuritë e Enos i kemi marrë ne. Ne si balerinë kemi bërë koreografi, por nuk kemi marrë shpjegimin prej koreografëve se çfarë është ajo, mirëpo Eno e ka bërë këtë specialitet, na ka shpjeguar dhe ka bërë më shumë sesa që e ka pasur për detyrë. Kjo neve na ndihmon shumë si balerinë, sepse ka qenë shkollë, shfaqje, shkollë dhe jemi të informuar krejt sa i përket shfaqjes ‘Exil’”, tha Bikliqi.

Më tutje balerini Fatmir Selmani tha se ana teknike ka qenë shumë e lehtë dhe se kanë fituar një përvojë të re. “Sa i përket anës teknike, ka qenë shumë e lehtë, sepse kemi një koreograf me shumë eksperiencë. Shqiptarët po ikin jashtë vendit dhe ne e kemi pasur shumë të lehtë për të hyrë në rol, sepse edhe në shfaqje janë dy të rinj që duan ta braktisin vendin për një të ardhme më të mirë”, tha ai.

Të enjten, më 5 dhjetor, shfaqet premiera e shfaqjes në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ndërsa, përveç premierës, artdashësit kanë mundësi që reprizën e shfaqjes ta shohin edhe të premten, më 6 dhjetor dhe më 12 dhjetor. Zëri