Libri i javës - “Gjuetia e ethshme e deles” nga Haruki Murakami

Libri i javës - “Gjuetia e ethshme e deles” nga Haruki Murakami

Kultura dhjetor 09, 2019 - 10:40

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë, në kuadër të rubrikës “Libri i javës”, këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Gjuetia e ethshme e deles”, nga Haruki Murakami.

Libri sapo është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books” dhe është përkthyer nga Orjeta Marku.  Ky libër me rreth 300 faqe cilësohet si roman psikologjik dhe është i destinuar për lexuesit mbi 14 vjeç.

Libri flet për një të sapodivorcuar, i cili drejton një kompani të vetën reklamash, ka hyrë në rutinën e një jete të zbrazur, si një tren që shkon në askund. Por kur takon një vajzë me veshë të çuditshëm, të tillë që sapo i zbulon të ndjellin joshje tejet sensuale, vendos t’i jepet ndjenjës së re pasionante. Një ditë ata shohin në foto një dele të çuditshme, ndaj nisen në një udhëtim drejt vendit ku është bërë fotoja. Rrugës do të takojnë një mik që u fshihet, një politikan të së djathtës ekstreme, një profesor të çmendur pas deleve, madje edhe një maniak depresiv i veshur vetë si dele. A është kjo një histori gjurmimi, një rrëfenjë plot pasion dashurie, apo thjesht një përzierje zhanresh e me personazhe absurde? Murakami sërish, si pakkush, sjell një histori magjike me nota të forta surrealiste dhe lirike. “The New York Times” e ka cilësuar librin si: “Rinor, i mprehtë, politik dhe alegorik”, kurse “Elle” shkruan se gjuha e Murkamit i flet kaq hapur mendjes, saqë të sjell në kujtesë me mirënjohje se për çfarë shërbejnë fjalët. Kritika e cilëson Murakamin si ndër mjeshtrit e rrëfimit sot. Si autorin që tronditi letërsinë japoneze dhe përshfaqjen e saj në botën letrare përmes së ashtuquajturit “thjeshtësim i realitetit”.

Rikujtojmë se veprat e Murakamit janë përkthyer në mbi 35 gjuhë të botës dhe renditet ndër shkrimtarët më të rëndësishëm japonezë, mes Yukio Mishimas, Kenzaburo Oes etj., si dhe mes shkrimtarëve më të kërkuar sot në botë. Haruki Murakami është autor i shumë romaneve dhe është cilësuar nga kritika botërore si njëri ndër përfaqësuesit më të sofistikuar të realizmit magjik.

Librin “Gjuetia e ethshme e deles”, nga Haruki Murakami, mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë. Ky libër kushton 13 euro.Zëri