Handke merr zyrtarisht “Nobel”-in, ceremonia bojkotohet nga disa shtete

Handke merr zyrtarisht “Nobel”-in, ceremonia bojkotohet nga disa shtete

Kultura December 11, 2019 - 10:21
Image



Në një ceremoni, e cila u mbajt në Sallën e Koncerteve të Stokholmit (Stockholms Konserthus), në orën 16:30, të martën, shkrimtarit austriak, i cili njihet për qëndrimet e tij proserbe, Peter Handke, i është dhënë edhe zyrtarisht çmimi “Nobel për Letërsi” bashkë me çekun prej 9 milionë koronash suedeze (828 mijë euro). Ky çmim i është dorëzuar edhe laureates së vitit 2018, shkrimtares polake Olga Tokarczuk. Kosova, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia Veriore, Turqia e Afganistani e bojkotuan këtë ceremoni, shkruan sot gazeta "Zëri".

 

Handke u shmanget polemikave rreth qëndrimeve të tij proserbe

 

Juria e “Nobel”-it deklaroi se “Nobeli për Letërsi” për vitin 2019 i është dhënë Handkes me arsyetimin se me veprimtarinë e tij letrare ka eksploruar përvojën njerëzore. Sipas komitetit “Nobel”, Handke është bërë njëri nga shkrimtarët më me ndikim në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.  

Peter Handke u përkul para të pranishmëve në Sallën e Koncerteve në Stokholm si shenjë falënderimi për çmimin “Nobel për Letërsi”, me të cilin u shpërblye edhe zyrtarisht.

Rikujtojmë se asnjë gazetar nuk u lejua të marrë pjesë në konferencën për medie që shkrimtari Peter Handke mbajti fundjavën që lamë pas. Nobelisti i ri i letërsisë të shtunën ua kushtoi fjalimin e tij pyetjeve letrare dhe u është shmangur polemikave rreth qëndrimeve të tij proserbe. Peter Handke ka qëndrime proserbe që prej luftërave të fillim viteve ’90-a në ish-Jugosllavi. Ai publikoi në gjermanisht një libër me titullin “Kukuvajkat e Velika Hocas”-it. I konceptuar fillimisht si një reportazh i gjatë gazetaresk, ky libër mori më pas formën e një romani letrar. Handke ka shkruar edhe një ese me titullin “Drejtësi për Serbinë”. Në 20-vjetorin e bombardimeve ai ka qëndruar në Beograd, ku ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Forumi i Beogradit për Paqe dhe Barazi, në të cilin ka folur për 15 minuta rreth bombardimeve. Shkrimtari Handke, gruaja e të cilit është serbe, ka vizituar në vitin 2015 Kosovën dhe serbët, të cilët kanë mbetur në Hoçë të Madhe, ua ka dorëzuar donacionin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin e pishinës në fshat. Donacioni ishte pjesë e shpërblimit “Henrik Ibzen”, që Peter Hendke e mori në vitin 2014.

Dy anëtarë të komitetit të “Nobel”-it dhanë dorëheqje për shkak të kësaj përzgjedhjeje gjatë kësaj jave dhe një anëtar i Akademisë Suedeze, historiani dhe shkrimtari Peter Englund, tha se do ta bojkotojë ceremoninë.

 

Me bojkotimin e kësaj ceremonie diplomatët kundërshtojnë mohimin e gjenocidit

 

Kjo ceremoni, ku u laureua austriaku Handke, për arsye tashmë të ditura, u bojkotua nga përfaqësuesit shtetëror të Kosovës në Suedi. E bojkotit të shtetit kosovar i janë bashkuar edhe përfaqësuesit e Shqipërisë, të Bosnjë dhe Hercegovinës, të Kroacisë, të Maqedonisë Veriore, të Turqisë e të Afganistanit në Stokholm. Këtë bojkot e kishte paralajmëruar ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Pas tij, të hënën ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci-Sherifi, ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe të Dinjitetit të Viktimave të Krimit të Gjenocidit. Ka thënë se laureimi i Handkes me “Nobel” sjell krijimin e një kulture ku artistët nuk i mbështesin më vlerat morale dhe njerëzore. Për vendimin e Shqipërisë për të mos marrë pjesë në këtë ceremoni ka folur edhe ministri i Punëve të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Gent Cakaj. Cakaj ka shkruar në “Twitter” se justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet. Në anën tjetër, Nikola Dimitrov, edhe ministri i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut ka deklaruar se e kanë udhëzuar ambasadorin e vet të mos marrë pjesë në këtë ceremoni.  “Mohimi i gjenocidit duhet të kundërshtohet. Ne e udhëzuam ambasadorin e Maqedonisë së Veriut që në Suedi të mos merrte pjesë në ceremoninë ‘Nobel Prize’ për Handke”, ka shkruar Dimitrov në “Twitter”. Reagimet nuk kanë munguar edhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Profesori Hamza Karcic në një opinion të tij të botuar të martën shkruan se Akademia Suedeze me këtë shpërblim do të sigurojë për vete një vend të ri në histori: Si një aftësues i mohimit të gjenocidit.

Rikujtojmë se edhe Akademia e Shkencave edhe e Arteve e Kosovës përmes një letre  të shkruar nga kryetari i saj Mehmet Kraja, kishte kërkuar nga Akademia Suedeze e Nobelit tërheqjen e këtij çmimi. Kjo i ishte përgjigjur Krajës se po e shpërblejnë Handken për veprën e tij letrare e jo për personalitetin e tij.Zëri