“Kodra e Trimave” bëhet së shpejti me bibliotekë

“Kodra e Trimave” bëhet së shpejti me bibliotekë

Kultura December 11, 2019 - 10:35

Qytetit të Prishtinës pritet t’i shtohet edhe një bibliotekë e re gjatë vitit të ardhshëm. Kjo bibliotekë e re do të ndërtohet në lagjen “Kodra e Trimave”.  Lajmin për ndërtimin e kësaj biblioteke e dha i pari i Komunës  së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

 Përmes një postimi, të cilin ka bërë të martën në rrjete sociale, Ahmeti informoi që në lagjen “Kodra e Trimave” është shpallur procedura tenderuese për ndërtimin e bibliotekës. Me këtë rast ai ka shpërndarë edhe fotografitë e planit. “Sot është shpallur procedura tenderuese për bibliotekën e re në ‘Kodrën e Trimave’, e cila do të shërbejë edhe si hapësirë për aktivitete rinore në këtë lagje”, shkroi Ahmeti.

Ky projekt, i cili pritet të realizohet, është pjesë e bashkëpunimit me kolegjin UBT. Projektin ideor e ka realizuar Rilind Sadiku e ndërsa projekti kryesor ka qenë donacion nga studio “G+A Architects”, e udhëhequr nga Arbër Sadiki. Kësisoj të gjithë qytetarët, dashamirët e librit, por edhe nxënësit e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë do të kenë qasje në një hapësirë të re, i cili do të shërbejë si shtëpi e librit, në të cilën do të mundë të zhvillohen edhe aktivitetet të tjera.Zëri