“Taukbahçja”, Parku i Qytetit dhe sheshi “Ibrahim Rugova” bëhen me minibiblioteka

“Taukbahçja”, Parku i Qytetit dhe sheshi “Ibrahim Rugova” bëhen me minibiblioteka

Kultura December 26, 2019 - 13:24
Image


 Në kryeqytet po vazhdojnë të hapen minibibliotekat, të cilat janë të parapara të vendosen në të gjitha lagjet e Prishtinës. Gjatë këtyre dy muajve kanë arritur t’i hapin gjithsej dhjetë sosh, duke përfshirë dhe ato që u hapën dje. Me shtëpiza të librit janë pasuruar: lagjja “Ulpiana”, “Dardania”, “Velania”, “Bregu i diellit”, “Lagjja e Spitalit”, Kampusi Universitar, sheshi “Adem Jashari”, Parku i Qytetit, lagjja “Taukbashqe” dhe sheshi “Ibrahim Rugova”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Deri në fund të këtij projekti, i cili është realizuar në bashkëpunim me organizatën ETEA dhe me Kuvendin e të Rinjve të Prishtinës, me përkrahjen e Forumit për Iniciativa Qytetare, në kuadër të projektit “Sign up for Impact” të Bashkimit Evropian, pritet të hapen edhe dy të tjera. Kështu duke u finalizuar 12 minibiblioteka gjithsej të parapara.
Këto hapësira të dedikuara librit, edhe pse me qëllime të mira për shoqërinë, në disa prej lagjeve kanë hasur në disa qytetarë të papërgjegjshëm.

Fatkeqësisht kanë pasur disa probleme gjatë javëve të kaluara në lagjen “Bregu i diellit” dhe në “Lagjen e Spitalit”, te të cilat janë dëmtuar minibibliotekat, duke i thyer xhamat dhe duke marrë librat. Këto dëmtime kanë shkaktuar pezullim të procesit të punës të minibibliotekave tjera, derisa partnerët e projektit janë marrë vesh që të rrisim nivelin e sigurisë në to. Dje organizata ETEA bëri rifunksionalizimin e këtyre minibibliotekave të dëmtuara në lagjen “Bregu i Diellit” dhe në “Lagjen e Spitalit”. Shumë prej qytetarëve të lagjes, të cilët e kanë përgjegjësi të kujdesen për këto minibiblioteka, kanë ofruar ndihmë të menjëhershme, duke i pasuruar prapë hapësirat me libra.

Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, tha se minibiblioteka në lagjen “Bregu i diellit” ka qenë e vendosur afër shkollës “Ismajli Qemali”, por është sulmuar dhe është dëmtuar tri herë.

“Minibiblioteka i ka pasur disa dëmtime, kemi bërë renovimin e saj dhe rimbushjen me libra dhe do të jetë në funksion për qytetarët edhe kjo pikë, sikurse janë tashmë dhjetë të tjera”.

Ahmeti shpreson që potenciali për dëmtim të minimizohet ose të eliminohet tërësisht dhe të ketë jetëgjatësi. Minibiblioteka të jetë nën përkujdesjen e qytetarëve dhe të ketë ndikim, qe të rritet lejueshmëria. E gjithë kjo punë u bë në nderim dhe në promovim të dijes, përkatësisht të librit, mbi bazën e të cilit do të duhej të ngrihet çdo personalitet njerëzor.

Përveç rifunksionalizimit të këtyre hapësirave, organizata joqeveritare ETEA bëri hapjen e minibibliotekave të reja në lagjen “Taukbahçe”, te Parku i Qytetit dhe te sheshi “Ibrahim Rugova”. “Me gjithë bashkëpunëtorët e projektit kemi vendosur që ta zhvendosim në një pikë tjetër, i cili është parku i ri i sallës ‘1 Tetori’. Meqenëse këtu ka ndriçim, sigurim dhe frekuentimi i qytetarëve është më i lartë”, tha Ahmeti.  Bashkëpunëtorët e projektit janë ndarë shumë të kënaqur me realizimin e tij.

Kosovare Sadiku, kryetare e Kuvendit Rinor të Prishtinës, tha se me OJQ-në ETEA kanë pasur edhe bashkëpunime të tjera, por që bashkëpunimi për minibibliotekën po del të jetë një bashkëpunim i suksesshëm. “Bashkëpunimi për minibibliotekën po vazhdon si një bashkëpunim i suksesshëm, ku veçse jemi në fazën përfundimtare të këtij projekti me 12 lagje me minibiblioteka në kryeqytetin tonë. ETEA planifikon që për vitin e ardhshëm projektin e minibibliotekave ta realizojë edhe në qytete të tjera të Kosovës. Rikujtomë se minibibliotekat do të jenë të qasshme për 24 orë dhe do të funksionojnë sipas konceptit “Sill një libër – merr një tjetër”, si dhe për huazim të librave. Raftet e minibibliotekave do të ndahen në libra për të rritur dhe në libra për fëmijë.Zëri