Me tepër se dy dekada artistike të “Toros” në mërgim

Me tepër se dy dekada artistike të “Toros” në mërgim

Kultura December 27, 2019 - 10:19
Image

Piktori kosovar Mentor Ejupi, i njohur me nofkën “Toro”, ka më tepër se 26 vjet që artin e vet e zhvillon në Gjermani, ku edhe jeton. Pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive, e autor i shumë të tjerave personale, “Toro” është ende në pritje të një ekspozite në vendlindje. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Mentor Ejupi shpalos më tepër detaje nga rrugëtimi i tij jetësor.

 

Zëri: Keni më shumë se 26 vjet që jetoni në Gjermani, ku edhe zhvilloni karrierën tuaj si artist. A mund të na tregoni si ishte për ju ky rrugëtim jetësor e artistik?

 

Ju falënderoj për kujdesin fillimisht. Unë jam lindur para gjysmë shekulli në Prishtinë, nga dy prindër që vinin nga Podujeva dhe nga Sekiraqa. Nëna na rriste neve fëmijëve e babai, pasi kishte ndërprerë studimet e Shkollës së Artit në Pejë, ishte bërë tregtar dhe njohës shumë i mirë i tekstilit. Më 1986-n fillova të botoj ilustrime dhe karikatura në gazeta ditore e pastaj dy vjet më vonë edhe të shkruaj në gazetën “Zëri i rinisë”, si dhe në të gjitha gazetat e Kosovës dhe jashtë saj. Përmes karikaturës shpërtheu talenti im. Teatri ‘Dodona’ m’i besoi pllakatet e shfaqjeve teatrale, që më stimuloi të bëja edhe pllakatin e parë në tokat shqiptare kundër konsumimit të drogës. Mbase puna ime në gazeta dhe aktivitetet tjera nuk i pëlqenin regjimit dhe u detyrova të largohem nga Prishtina në vitin 1993 për të jetuar dhe për të punuar në Hamburg të Gjermanisë. Tri javë më vonë hapa ekspozitën e parë dhe duke vazhduar edhe sot e kësaj dite.

 

Zëri: Si ishte për një artist të ri në vend të huaj fillimi i karrierës?

 

E kisha më të vështirë sesa në Prishtinë, ngase në fillim të viteve të ’90 -ta ishte një propagandë shumë e ashpër kundër shqiptarëve në Gjermani. Por unë kisha një armë shumë të fortë, kisha bagazhin e punëve që i kisha të publikuara në mijëra tirazhe në printmedie dhe ishte puna ime e pandarë, që më mundësoi të tejkaloj këtë imazh të keq, të cilin e kishin ne shqiptarët.

 

Zëri: Me sa e dimë, “In excess”-i është ekspozita juaj e fundit personale, ku u ekspozuan piktura të frymëzuara nga letërsia e autorit të mirënjohur Charles Bukowsky. A mund të na flisni me tepër për këtë projekt. Çfarë e bën të veçantë sipas jush?

 

“In Excess” ishte ekspozita ime e fundit për vitin 2019, për të cilin projekt kisha punuar gati dy vjet të tëra. Nuk ishte edhe shumë e rastësishme përzgjedhja e Bukowskit si objekt i kësaj ekspozite, edhe pse unë kisha filluar shumë vonë ta lexoja veprën e tij, ngase unë isha një ithtar i zjarrtë i Henry Millerit dhe nuk merresha me autorë të tjerë të prozës erotike e sidomos nuk lexoja shumë vepra autobiografike (siç asht rasti i Charles Bukowskyt). Por, duke hasur në letërkëmbimet në mes Millerit dhe Bukowskyt, po njoftoja një karakter krejtësisht tjetër, për të cilin karakter veçse kisha opinion të formuar e që ishte krejtësisht ndryshe nga karakteri që nxirrej nga ky letërkëmbim në mes të këtyre dy gjigandëve letrarë me renome botërore. Isha zhytur fare thellë në analiza për të krijuar një profil të ri të plakut të ndotur. Butësia e tij në komunikim me Millerin, që ishte krejtësisht ndryshe nga tekstet në veprat e tij dhe korrektësia ndaj realitetit ishin një motiv për mua që të futesha edhe më thellë në kërkimet e mia për të krijuar veprat e mia, që do të paraqitnin jetën e autorit më pervers të letërsisë moderne.

 

Zëri: Kjo ekspozitë erdhi në pranverë të këtij viti. Po aktualisht çfarë po ju preokupon më shumë. Çka po pikturoni?

 

Për momentin, pas ekspozitës së fundit, jam në përgatitjen e studios së re, e cila është në përmasa të mëdha hapësinore dhe po kërkon shumë punë. Ka një vit që punoj në “The Queen of the River”, por detaje të tjera nuk mund të jap për momentin, për shkak të kontratave që kam me galerinë e re në Hamburg të Gjermanisë.

 

Zëri: A përfshihet në planet tuaja të afërta ndonjë ekspozitë në Kosovë?

 

Kjo është një pyetje që më shtrohet thuajse secilën ditë e sidomos pas përfundimit të luftës. Natyrisht se secili krijues e ka një dëshirë, të kthehet në atdheun e vet e të prezantojë punën e vet, që e krijon me dekada në mërgim. Shumë herë më shkon mendja të ekspozoj në Prishtinë, bëj plane dhe komunikoj me njerëzit e mi të afërm për të realizuar projekte dhe ekspozita, por deri më tani gjithmonë na dalin gurë të mëdhenj në rrugë, që e ndalojnë këtë veprim. Qofshin ato pengesa edhe ma të vogla, por janë të mjaftueshme që të mos realizohet një ide e tillë. Zakonisht janë kriteret e “institucioneve”, ose ndoshta mundem të them se janë mungesa e kritereve profesionale që pengojnë në bashkëpunime e sidomos kur institucionet financohen nga shteti dhe krijohen tablot tipike akademike me borde e jo kompetenca profesionale, por ato politike dhe klanore. Këto fakte edhe më kanë penguar mua personalisht që edhe të mos mendoj fare në prezantimin e punëve të mia në formë institucionale, por do të pres deri në krijimin e kushteve nga ndonjë hapësirë e pavarur të artit në Kosovë, qoftë ajo edhe në fshatin e fundit të vendit tim, por vetëm e vetëm të jetë shumë profesionale dhe e pavarur nga bordet artistike akademike të Kosovës ose edhe të nostalgjikëve postkomunistë.

 

 

Zëri: Sa keni mundësi të përcillni punën e artistëve shqiptarë në fushën e artit figurativ. Nëse po, si e vlerësoni zhvillimin e këtij arti mes nesh?

 

Po, e kam përcjellë gjithmonë. Unë kisha edhe galerinë “MyToro” me vite dhe ekspozoja secilin artist nga viset tona e sidomos ata nga Kosova (Gaz Ejupi, Alban Muja, Driton Hajredini, Burim Mmyftiu...) dhe shumë të tjerë. Po ashtu kam fluturuar shpesh enkas për të përcjellë ekspozitat e autorëve që më interesonin dhe kam vizituar edhe studiot e tyre dhe kam akoma shumë kontakte të shëndosha me shumë artistë. Unë nuk jam kompetent për të vlerësuar punën e artistëve tjerë ose zhvillimeve të një tërësie ose komuniteti artistik, por jam në pozitë nga përvoja që të interpretoj aktualitetin e artit. Duke përcjellë me vite punën e institucioneve të arteve (qysh nga viti 1985) mendoj se krijuesit e kanë shumë të vështirë të zhvillohen, ashtu siç ju takon dhe siç e meritojnë në Kosovë. Arsyet do të ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga metodika edukative dhe deri te transformimi nga një talent në një artist.Zëri