Përurohet libri “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”

Përurohet libri “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”

Kultura December 27, 2019 - 10:24
Image

Dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u bë promovimi i librit “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” nga sfera e gjuhës shqipe, e historisë dhe e kulturës, i autorit Hazir Mehmeti. Autori është veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare në Austri, intelektual i dalluar dhe autor i 5 librave të botuara në gjuhën shqipe, të përkthyera në gjuhën gjermane dhe rumune. Panelistë në këtë ceremoni promovimi ishin: Bedri Tahiri, Eqrem Zenelaj, Muhamet Mala dhe Reshat Sahitaj.

Libri është një vepër hulumtuese me karakter antologjik mbi studiuesit austriakë e shqiptarë nga fusha e gjuhësisë, e artit dhe e kulturës. Ai paraqet një lloj leksikoni ose enciklopedi shumë të vlefshme të të dhënave të nevojshme në fotografi, të cilat pasqyrojnë jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara, që folën shqip në Austri.

Profesor Bedri Tahiri në fjalën e tij të rastit tregoi se autori me përkushtim të madh e me mjeshtëri të rrallë arriti të realizojë këtë vepër. “Duke shfletuar në libër, lexuesi bindet që kjo është një enciklopedi ku mund të informohesh për çdo gjë. Autori me mjeshtëri të rrallë arriti të grumbullojë fakte, biografi, fotografi, dokumente, materiale arkivore, shkrime nga shtypi i kohës etj. Ai i ka grumbulluar për gjashtë vjet rresht, duke i sistemuar në disa kapituj të ndërlidhur mes vete si mishi me thoin”, tha Tahiri.

Kapitulli i parë i librit shërben si një hyrje dhe jep informacione telegrafike për shqiptarët në Austri, për shkollimin e tyre dhe për ndikimin e austriakëve në çështjen shqiptare. Kapitulli i dytë shpërfaq qartë kontributin e pazëvendësueshëm të gjermanofolësve për gjuhësinë shqiptare, duke u nisur nga Arnoldt Von Harf, Gustav Majer etj. Ndërkaq te kapitulli i tretë mund të mësojnë për personalitetet e njohura austriake me prejardhje shqiptare, Karl Gega e Aleksandër Moisiu, me të cilët krenohet gjithë bota.

Eqrem Zenelaj u shpreh falënderues që autori e ka bërë pjesë të librit. Ai tha se ka nderin e veçantë që ne kemi të bëjmë me një autor dhe me një atdhetar, i cili ka udhëhequr arsimin shqip në Austri për 20 vjet dhe është autori i abetares së parë për fëmijët e diasporës. “Në këtë libër autori e kthen një borxh ndaj personaliteteve kombëtare, por edhe austriake, që gjatë historisë Austria ka bërë shumë për shqiptarët”, tregoi Zenelaj. Para një audience të madhe autori i librit u shpreh shumë falënderues për pjesëmarrësit, panelistët dhe të gjithë që e përkrahën në rrugëtimin e tij gjatë realizimit të veprës. “Falënderoj të gjithë që më ndihmuan për realizimin e librit. Këtë libër ia kam dedikuar vajzës sime, dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, tashmë e ndjerë, e cila na bëri krenarë me punën e saj shkencore, humbja e saj u konsiderua si humbje shkencore për botën”, tregoi Mehmeti. Ky libër është një kujtim për të gjithë ato personalitete që studiuan në Austri dhe dhanë shumë për vendin tonë.Zëri