2019-a, e mbushur me festivale

2019-a, e mbushur me festivale

Kultura December 30, 2019 - 16:23
Detajet
Image

Edhe në vitin që lamë pas aktivitetet kulturore në Kosovë u përqendruan kryesisht në festivalet e fushave të ndryshme, të cilat u mbajtën në kryeqytet, por edhe nëpër qytete të tjera. Duke u nisur nga festivalet e muzikës klasike, që janë maratonë çdo pranverë si “DamFest”, “Kamer Fest”, “Chopin Piano Fest” etj, e deri të ato të muzikës moderne si “Ngom Fest” i Prizrenit ose “Sunny Hill” i Prishtinës, që dalëngadalë po krijojnë identitetin e vet. Në vitin 2019 nuk munguan as festivalet e filmit e të teatrit, shkruan gazeta Zëri.

Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të shkurtër se çka i karakterizoi disa nga festivalet kryesore të vendit vitin që lamë pas.

Tetëmbëdhjetë vjet me “DokuFest”-in

Për të tetëmbëdhjetin vit me radhë shumë vizitorë nga Kosova, por edhe nga rajoni, nga Evropa e më larg ia mësynë Prizrenit për të marrë pjesë në edicionin e 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”. Edicioni i 18-të i “DokuFest”-it u mbajt mes datave 2 - 10 gusht 2019, në Prizren, ndërsa “E vërteta” ishte zgjedhur si tema e edicionit të sivjetmë të këtij festivali. Këtë vit në Prizren u shfaqën mbi 280 filma, ku mbi 100 prej tyre kanë garuar në gjashtë kategori. Përveç kësaj, “DokuFest”-i pati edhe programin e festivalit për fëmijë, punëtoritë, tryezat e diskutimeve, si dhe koncertet muzikore të shpërndara në disa skena në Prizren.

“Sunny Hill”, festivali që synon rritje të madhe më 2020-n

Për tri ditë me radhë skena e “Sunny Hill”-it (2 - 4 gusht 2019) u pushtua nga artistë të njohur ndërkombëtarë e vendorë. Parku “Gërmia” në Prishtinë ishte adresë e mijëra adhuruesve të muzikës bashkëkohore, të cilët u bënë bashkë për ta ndjekur nga afër festivalin “Sunny Hill”. Aktorja e shndërruar në këngëtare të muzikës pop Miley Cyrus ishte artistja kryesore, e cila interpretoi në edicionin e fundit të festivalit “Sunny Hill”. Pas saj, në dy netët në vijim skena ishte e rezervuar për reperin me prejardhje shqiptare Gashi dhe për DJ Clavin Harris. Sipas organizatorëve, ky festival, i cili organizohet nga fondacioni me të njëjtin emër të këngëtares prishtinase më famë botërore Dua Lipa, mëton ta vendosë Prishtinën në hartën kulturore të Evropës. Këtë vit “Sunny Hill” zyrtarizoi marrëveshjen me “Institute of Arts and Innovation”, i përfaqësuar nga Gëzim Gashi. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që gjatë vitit 2020 të udhëtojnë në Los Angeles të Amerikës për një muaj. Artistët e rinj do të përzgjidhen nga përfaqësues të “Quincy Jones Production” dhe “Institute of Arts and Innovation”. E gjatë vitit 2020 pritet të finalizohet edhe marrëveshja e fondacionit “Sunny Hill” me Komunën e Prishtinës për hapjen e shkollës “Sunny Hill Academy” për talentet e artit dhe të muzikës. Siç është zotuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkolla e muzikës “Prenk Jakova” do të jetë në hapësirat e Pallatit të Rinisë, ku për disa vite “American School of Kosovo”, e pikërisht aty bashkë me të do të vendoset edhe akademia muzikore e financuar nga fondacioni i Dua Lipës.

Edhe një herë “EtnoFest”-i u bë zëri i traditës dhe i kulturës shqiptare

Edhe këtë vit në fshatin Kukaj, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg Prishtinës, dikur i braktisur nga banorët e tij, u mbajt festivali tashmë tradicional “EtnoFest”. Ky ishte edicioni i nëntë i këtij festivali që nisi më 20 gusht. Më 2019-n organizatorët e “EtnoFest”-it kanë zgjedhur shtëpinë tradicionale të shqiptarëve si një temë me një qasje gjithëpërfshirëse nga ajo arkitekturale. Kultura urbane e banimit, funksionimi i saj, roli i gruas në menaxhimin dhe në funksionimin e shtëpisë dhe në edukimin e fëmijëve, roli i zotit të shtëpisë në ngritjen, në edukimin e brezave dhe në ekonominë familjare ishin boshti i këtij edicioni. Ky festival kthen në vëmendje të njerëzve traditën dhe trashëgiminë materiale, por edhe shpirtërore. Po ashtu e veçanta e këtij edicioni ishte lidhshmëria që u është bërë riteve të vjetra, muzikës tradicionale me trendët moderne, duke i pasuruar dhe duke i bërë më të qasshme për publikun e ri. Sivjet mbushet një dekadë qëkur “EtnoFest”-i ka nisur udhëtimin në gjurmimin, në afirmimin, në zhvillimin dhe në promovimin e vlerave të mirëfillta të artit, të kulturës dhe të traditës sonë.

Ferizaj vazhdon ta mbajë gjallë traditën teatrore

“Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Zana Hoxhës, “Një letër e humbur” me regji të Kushtrim Bekteshit, “Zona e pritjes” me regji të Fatos Berishës, “UN inspektori” me regji të Erson Zymberit, “Erdhi Godoja” me regji të Shkëlzen Berishës, “Ditë vere” me regji të Naser Shatrollit dhe “Kanuni i gruas” me regji të Arlinda Morinës ishin shfaqjet që u paraqiten para publikut në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Këtë tetor në qytetin e Ferizajt u mbajt edicioni i 49-të i Festivalit të Teatrove. Në vitin që po hyjmë ky festival rrumbullakon një gjysmëshekulli funksionim. Çdo vit ky edicion mirëpret trupa teatrale dhe shfaqje nga shumë qytete shqipfolëse. Edhe në vitin që lamë pas trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare, duke u nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar te nikoqiri Ferizaj, i dhuruan publikut momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore. Një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe në edicionet që vijojnë.