QKK-ja pret që Ligji për Kinematografi të hyjë në fuqi ketë vit

QKK-ja pret që Ligji për Kinematografi të hyjë në fuqi ketë vit

Kultura January 04, 2020 - 12:35
Detaje
Image

Gjatë vitit 2020 Qendra Kinematografike e Kosovës pret që ligji i draftuar nga grupi punues gjatë këtij viti të kalojë fazat e dëgjimeve publike dhe të hyjë në fuqi. Ky ligj përbrenda tij, përveç përditësimit me të rejat e fundit në filmbërje dhe përshtatjes ndaj kontekstit të zhvillimeve të fundit në bashkëprodhimin ndërkombëtar të filmit, integron edhe rregulloren për lehtësirat financiare, e cilado të tërheqë investime të huaja në Kosovë në fushën e industrisë së filmit.

Në raportin e këtij institucioni për vitin 2019 thuhet se QKK-ja planifikon ta rrisë aktivitetin ndërkombëtar të promovimit të filmave dhe shkëmbimit profesional me qendrat, organizatat dhe institucionet e rëndësishme evropiane dhe botërore të filmit.

“Po ashtu planifikon që të rrisë aktivitetin me projekte që ndërlidhin filmin dhe prodhimet audiovizuele me edukimin. Me këtë njëkohësisht edhe rritjen e aktivitetit në vend përmes vazhdimit të intensifikimit të rolit të QKK-së në rivitalizimin dhe në krijimin e rrjetit të kinemave publiko-private të Kosovës”, thuhet në këtë raport.

Shumë projekte të tjera filmike janë momentalisht në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjatë këtij viti kanë filluar xhirimet e rreth 20 filmave të kategorive të ndryshme,12 projekte filmike i kanë përfunduar ato, disa kanë arritur në fazën e post-produksionit, një pjesë e tyre janë ende në xhirim, ndërsa deri më tani përafërsisht 10 filma kanë marrë lejen të shfaqen.

2019-a, vit i suksesshëm për filmbërësit

Viti 2019 ishte më i suksesshmi deri tani për kinematografinë kosovare sa i përket pjesëmarrjes së filmave tanë në festivalet e kategorisë “A”. Filmat të cilët janë përzgjedhur nga një konkurrencë e hatashme botërore për t’u shfaqur në festivalet e kategorisë “A” janë: Filmi i metrazhit të shkurtër “Në mes”, nga Samir Karahoda – “Berlin International Film Festival”, filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës”, nga Lendita Zeqiraj – “International Film Festival Karlovy Vary”, filmi i metrazhit të gjatë “Zana”, nga Antoneta Kastrati – “Toronto International Film”, filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues”,nga Fatos Berisha – “Tallinn Black Nights Film Festival”, filmi i metrazhit të gjatë “Ekzil”, nga Visar Morina – “Sundance Film Festival”, si dhe filmi i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, nga Kushtrim Bekteshi – “Moscow International Film Festival”.

“Arritje të rëndësishme janë edhe sukseset e filmbërësve dhe të aktorëve, të cekura më poshtë: aktorët kosovarë kanë shkëlqyer në ‘FilmFestival Cottbus’ në Gjermani, duke u shpërblyer meçmime kryesore. Pesë aktoret nga filmi ‘Shpia e Agës’, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismajli, Melihate Qena dhe Rebeka Qena, shpallen aktoret më të mira të festivalit. Dy çmime për filmin ‘Shpia e Agës’ në Stamboll. ‘Në Bogazici Film Festival’ ‘Në mes’ nga Samir Karahoda nominohet për Akademinë e ÇmimeveEvropiane të Filmit; Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius tëLituanisë në kuadër të garës së filmave të shkurtër triumfoi filmi ‘Në Mes’, i autorit Samir Karahoda, ndërsa filmi debutues i More Raçës, i cili u prezantua në Festivalin Ndërkombëtar të San Sebastianit në Spanjë, fitoi çmimin ‘Glocal in Progress’;

‘Just Film Works in Progress’ në ‘Black Nights Film Festival’ i jep çmimin filmit debutan ‘Familja’, me skenar dhe me regji nga Durim Kryeziu dhe me producent Bardhyl Bejtullahun”, theksohet në raportin e QKK-së.

Në 5 vjetët e fundit përmes përkrahjes së QKK-së dhe punës e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin filmbërës kinematografia ka shënuar rritje eksponenciale të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Filmat e shkurtër, të gjatë dhe ata dokumentarë të Kosovës kanë rritur praninë e tyre në festivale të rëndësishme evropiane dhe botërore të filmit. Filmat kosovarë janë shfaqur në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të filmave, si “Berlinale”, Toronto, Sarajevë, Karlovy Vary, Montreal, Cairo, Goa, Tallinn e deri në nominimin për “Oscars”. Gjatë 10 vjetëve të fundit Qendra Kinematografike e Kosovës ka mbështetur afër 140 filma në kategori të ndryshme dhe ka pasur bashkëpunime me shumë shtete, që kanë forcuar industrinë e bashkëprodhimit të filmave.