Libri i javës - “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” nga Shkumbin Gashi

Libri i javës - “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” nga Shkumbin Gashi

Kultura January 06, 2020 - 10:16

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” nga shkrimtari i ri kosovar Shkumbin Gashi. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Pema”.

Sikurse te romani i tij debutues “Anormopatia”, edhe këtu vërehet stili unik që e karakterizon shkrimtarin Gashi, i cili, ta themi pa modesti, mozaikut të madh të bibliotekës së librave shqip i sjell freskinë si në temat që trajton, si në stilin krijues. Njeriun e sotëm e rëndojnë temat nga identiteti te sfida e përshtatjes, nga dëshirat e lakmitë te ndjenja e përjashtimit a sistemeve vlerore të imponuara, nga dëshira për përmbushje te nevoja për pranueshmëri. I riu dhe e reja e sotme gjenden përpara sfidave të njëjta kudo e ku më shumë se kur përpiqen ta rigjejnë veten.

Të gjithë ju, të apasionuarit pas romanit, ndjekjes e zbërthimit të gjëegjëzave të jetës, do të keni mundësinë të lexoni për historinë e Ibrahimit që ka braktisur Eritrean nga varfëria, Kamilas që ka ikur nga burri i saj dhe dhuna që ai i shkaktonte, Rimas që ka ikur nga lufta dhe Agronit që e ka braktisur Kosovën nga frika e hakmarrjes. Përmes katër personazheve nga prizmi i të cilëve zhvillohet ngjarja, autori na end botës e na pikëtakon te vendi i ëndrrave, në ekzistoftë një i tillë. E pastaj? Pikërisht këtu pikëtakohen edhe e kaluara me të ardhmen. Një vepër që i flet lexuesit të ri, me një stil tërheqës e ngjarje që duken sikur i takojnë secilit nga ne.

Librin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë.

Shkumbini Gashi është autor i ri nga Kosova. Romani i tij i parë me titull “Anormopatia” u mirëprit nga lexuesit shqiptarë. Libri i tij, i cili ishte botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, është vlerësuar dhe është ekspozuar edhe në Panairin e Librit në Paris.Zëri