Inspektohet Kalaja e Krujës

Inspektohet Kalaja e Krujës

Kultura January 06, 2020 - 10:22

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, së bashku me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës dhe me gjeologë e konstruktorë kryen një inspektim në Kalanë e Krujës. IKTK-ja shprehet se kjo u bë për studimin e zonës së kalasë dhe për të gjetur mënyrën për ta përforcuar strukturën. “Inspektimi pati si qëllim studimin gjeologjik të zonës së kalasë për të gjetur mënyrën e duhur për përforcimin e strukturës shkëmbore mbi të cilën është ngritur kalaja”, shprehet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804m zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shekullin e III p.e.r, ndërsa kalaja është ngritur në shekullin e V - VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shekullin e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shekullin e XIII - XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë kryefortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Edhe në ditët e sotme është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët. Përballë muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ndodhen rrënojat e një ish-kishe, që gjatë pushtimit osman u kthye në xhami. Në cepin më lindor të kështjellës ekziston ende një kullë kambanore e saj. Kjo kullë është gjetur në vitin 1988.Zëri