“Talia e Flakës” mbledh në Gjilan shfaqjet më të mira

“Talia e Flakës” mbledh në Gjilan shfaqjet më të mira

Kultura January 07, 2020 - 10:13
Image

Manifestimi “Flaka e janarit 2020” këtë vit shënon edicionin e 29-të me radhë në qytetin e Gjilanit. Me ndezjen e flakadanit dhe me aktivitete kulturore edhe këtë vit ky festival pritet të mbledhë me mijëra artistë e artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët e shndërrojnë këtë qytet të Kosovës në një kryeqendër të kulturës shqiptare. Në kuadër të këtij manifestimi mbarëkombëtar kulturor nga data 22 – 26 janar, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit do të mbahet festivali i dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës 2020”. Për gazetën “Zëri” drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, shpalosi repertorin e këtij viti,shkruan sot gazeta "Zëri".

 

Festivali ka karakter garues, pritet të shpërblehen më të mirët

 

Festivali “Talia e Flakës 2020” pretendon të mbledhë sivjet shfaqjet dhe dramat më të mira origjinale shqipe nga Kosova e nga Shqipëria. Për gazetën “Zëri” drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, tregoi se janë në fazën finale rreth përgatitjeve për organizimin e festivalit të dramës shqipe. “Ne jemi në finalizimin e punës për festivalin e dramës shqipe duke filluar nga data 22 - 26 janar 2020. Në festival do të ketë shfaqje, të cilat do të jenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri i Prizrenit dhe teatri ‘EtnoFest’ nga Prishtina. Këto shfaqje janë të gjithat me autorë shqiptarë, sepse kushti kryesor ka qenë që dramaturgu ose vepra të jetë e autorit shqiptar. ‘A.y.l.a.n’ nga Jeton Neziraj, regjia: Blerta Neziraj do të përfaqësojë Teatrin e Qytetit të Gjilanit në edicionin e 29-të të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe. Ky është festival i dramës shqipe, prandaj  kjo gjë e bën më unik nga festivalet tjera, të cilat zakonisht nuk janë të profilizuara, aty ku mund të marrin pjesë çfarëdo shfaqje të huaja”, tregoi Zymberi.

Festivali ka karakter garues dhe është festivali i vetëm teatror mbarëkombëtar, i cili është i profilizuar në kuptimin që vetëm teatrot që përgjatë një viti kanë prodhuar shfaqje me tekste a drama të autorëve shqiptarë mund të marrin pjesë dhe t’i përfaqësojnë vendet e tyre. Kjo e bën Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe të vetmin festival teatror, i cili ndihmon në zhvillimin e dramës e dramaturgjisë shqipe. Si çdo vit tjetër edhe në këtë edicion  do të ndahen çmimet e festivalit, ndërsa juria pritet të bëhet e ditur ditën e hapjes së festivalit. Zymberi tregoi se për organizatorët e festivalit çmimi më i veçantë është ai i “Drama më e Mirë”. “Janë çmime të ndryshme, të cilat e karakterizojnë këtë festival dhe për ne çmimi kryesor është çmimi ‘Drama më e Mirë’,  pastaj është çmimi ‘Shfaqja më e Mirë’, ‘Regjia më e Mirë’, ‘Aktori më i Mirë’”, tha Zymberi, duke shtuar se janë jashtëzakonisht të kënaqur me përkrahjen që e kanë marrë nga Komuna e Gjilanit për organizimin e festivalit.


Dy flaka i shtohen Festivalit të Dramës

 

Dy programe të reja i janë shtuar festivalit “Talia e Flakës”. Bëhet fjalë për flakën “esPRESSo” dhe flakën “iNTERAKTIVE”, të cilat janë dy programet e veçanta që edhe sivjet do të vijnë në kuadër të këtij festivali. Për “Zërin” Zymberi shpalosi më shumë detaje nga këto programe. “‘EsPRESSo’ është një program yni, i cili flet me miqtë, me partnerët e festivalit dhe me mediet, me të cilët e diskuton rrjedhën e festivalit dhe normalisht diskuton shfaqjen e cila mbrëmjen e kaluar është dhënë në festival. Të gjitha këto diskutime pastaj shkruhen, editohen dhe redaktohen për t’u botuar më vonë në librin e ‘Flakës’. Ky libër i ‘Flakës’ përmban një përmbledhje të shkurtër të të gjitha aktiviteteve që zhvillohen gjatë festivalit”, tha Zymberi, duke treguar se në anën tjetër  flaka “iNTERAKTIVE” mbahet menjëherë pas flakës “esPRESSo”.  “Ajo është një diskutim ose tryeza me emra të njohur të fushës së kulturës me të cilën gjatë manifestimit pjesëmarrësit: miqtë, publiku, gazetarë etj në mënyrë interaktive mund të diskutojnë për tema që janë me interes për teatrin ose për fushën kulturore” tregoi Zymberi.

Si çdo vit edhe këtë herë “Talia e Flakës” pritet të mbledhë një publik të gjerë. Përpos këtyre shfaqjeve teatrore, do të mbahen dhe akademi, ekspozita, orë letrare, festivale popullore dhe festivale për fëmijë. Këtë muaj në Gjilan do të prezantohet edhe Akademia e Flakës, si dhe Akademia Përkujtimore për Presidentin Dr. Ibrahim Rugova. Nga fusha e artit pamor do të mbahet ekspozita “Peneli i Flakës”, kurse nga ajo e letërsisë ora e madhe letrare “Pena e Flakës”. Nga arti muzikor do të organizohet “Fest Flaka”, si dhe “Xixat e Flakës”, që është festival i këngës për fëmijë.Zëri