Sipas gjuhëtarëve, shqipja nuk mbrohet e nuk zhvillohet me ligj, por me mekanizma të tjerë  

Sipas gjuhëtarëve, shqipja nuk mbrohet e nuk zhvillohet me ligj, por me mekanizma të tjerë  

Kultura January 14, 2020 - 10:16
Image

 

Ka disa ditë që diskutohet nisma për të propozuar një ligj të ri, i cili mbron gjuhën shqipe. Këtë nismë e ka ndërmarrë Akademia e Shkencave në Shqipëri, e cila ka deklaruar se do t’ia propozojë qeverisë shqiptare një ligj për ruajtjen dhe për zhvillimin e gjuhës. Kjo nuk është hera e parë që diskutohet për një ligj të tillë. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, e ka cilësuar si njërin nga prioritetet e institucionit që ai drejton për vitin 2020 hartimin e një fjalori të plotë për gjuhën shqipe dhe të një ligji që ta mbrojë atë. Ndërsa gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet se kjo duhet bërë pa qenë vonë. Kjo temë ka hapur shumë diskutime edhe mes gjuhëtarëve, studiuesve e profesorëve  në Kosovë. Për gazetën “Zëri’ gjuhëtarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” thonë se gjuha jonë duhet të kultivohet dhe të mbrohet përmes mekanizmave të tjerë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rugova: Vitet e fundit në albanistikë është investuar më pak se për një fushë futbolli


Sipas profesorit universitar të Fakultetit të Filologjisë dhe studiuesit Bardh Rugova, mënyra më e mirë që shteti mund të ndihmojë në ruajtjen dhe në kultivimin e gjuhës nuk është një ligj, mirëpo këtë mund ta bëjë përmes fondeve që financojnë studimet e ndryshme rreth saj. Rugova më tutje thekson se shqipja nuk ka nevojë për një ligj të tillë. “Nga kush të mbrohet shqipja? Nga shqiptarët? Budallallëk! Nëse një qeverie do t'i kishte interesuar shqipja, atëherë ajo do të duhej të hapte fonde për studimin e saj dhe të dialekteve të saj”. Më tutje, sipas profesorit universitar, shteti shqiptar dhe ai i Kosovës vitet e fundit kanë investuar minimalisht për gjuhën shqipe. “Janë investuar shifra minimale, sigurisht shumë-shumë më pak se investimet për një fushë futbolli. Për disa vite për albanistikën është investuar më pak se për një fushë futbolli”, ka theksuar Rugova, duke shtuar se nëse vërtet duan të interesohen për shqipen, atëherë le të investojnë për studimin e saj e të mos bëhen gaz i botës dhe i komuniteteve linguistike nëpër botë.


Beqiri: Ligji për gjuhën më asocion me një kohë që e mendonim të perënduar

Profesori i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Beqiri, thotë për gazetën “Zëri” se çështja e pastërtisë së gjuhës sonë dhe e shmangies së përdorimit të fjalëve e të ndërtimeve të huaja sintaksore duhet të shihet më shumë si problem sociolinguistik. Sipas tij, kjo çështje mund të trajtohet qoftë si një temë mjaft interesante sociolinguistike, nëse në qendër të vështrimit vihet gjuha shqipe në raport me shoqërinë shqiptare, qoftë si një temë e sociologjisë së gjuhës, nëse dëshirohet të hetohet qëndrimi i shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës shqipe. “Madje, studimi i themeltë i kësaj teme do të ishte me shumë interes për të parë më me saktësi pse shqiptarët po e përbuzin gjuhën e tyre, për t’i parë jo vetëm shkaqet, po edhe pasojat (e pritshme). ‘Gjuha, siç dihet, shkon nga t’i teket, nuk njeh asnjë dekret nga lart, as nga politika, as nga akademitë, ajo mund ta ndalë hapin, por edhe mund të devijojë në gjendje të tjera, të cilat i konsideron optimale’, thoshte semiologu Umberto Eco. Sado që ky mendim i Eco-s për gjuhën disi na ngushëllon, prapëseprapë nuk kemi si të mos e shfaqim një dozë frike se, po nuk ndodhi ndonjë ndryshim rrënjësor në qëndrimin tonë ndaj gjuhës, shqipja, pas disa motesh, mund të ketë një pamje krejt tjetër, një sistem të trashëguar e të normëzuar të shqipes, të mbizotëruar gati tërësisht me leksik/fjalës të huaj”, thotë Beqiri. Ai tutje shton se beson se “shpëtimi i gjuhës” duhet të kërkohet te pasuria e madhe e leksikut/fjalësit shqip, te ai det i madh fjalësh konotimesh nga më të begatshmet, të cilat kanë mbetur jashtë fjalorëve të cunguar të shqipes së sotme normative. “Le të hedhim një sy në thesarin e pashtershëm të epikës gojore shqipe, le ta kthejmë vëmendjen kah vepra e paanë e Fishtës, e Koliqit, e Camajt dhe e të gjithë krijuesve të tjerë që ishin të ndaluar, që të shohim se shqipja i ka të gjitha mundësitë për të qenë sërish porsi i ambli flladi i erës (Fishta), e pastër dhe e dëlirë (Naimi). Me vendime të njëanshme, me dekrete plenumesh e me ligje absurde, gjuha as shpëtohet, as pasurohet! Thesari i brendshëm i vet gjuhës, i ruajtur dhe i mbrujtur në letërsi (në të gjitha format e saj), është pika drejt së cilës duhet të drejtohemi!  Përfundimisht, nxitimi për të nxjerrë një ligj për gjuhën, më asocion me një kohë që e mendonim të perënduar, me një kohë kur ai që e bënte ligjin, e bënte edhe gjuhën”, thekson Beqiri.

 

Askund në botë nuk ka ligj të veçantë për gjuhën standarde


Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Rrahman Paçarizi, thotë se këto lloje zgjidhjesh e propozimesh për ligjet e mbrojtjes së gjuhës shqipe janë rezultat i  mungesës së kreativitetit dhe i mungesës së dijes së atyre që propozojnë këto ligje. Sipas tij, gjuha duhet të kultivohet e të zhvillohet përmes arsimit gjuhësor, përmes mekanizmave të dijes, të cilët ndikojnë për ta zhvilluar gjuhën e jo përmes ligjesh, të cilat i sanksionojnë gabimet. “Nga kush duhet ta mbrojmë gjuhën, nga folësit e saj? Nëse këtë ia thoni një sociolinguisti të huaj, që merr vesh sado pak nga gjuhësia, sigurisht që do t’ju shikonte çuditshëm ose edhe do t’ju rekomandonte ndonjë trajtim te psikologu”, thotë Paçarizi. Më tutje ai thekson se në Kosovë dhe në Shqipëri nuk ka fare nevojë për ligj tjetër për gjuhën shqipe dhe se ligj të veçantë nuk ka askund në botë.  “Të dyja shtetet i kanë ligjet e tyre për gjuhën, me të cilat përcaktohet se cilat gjuhë janë zyrtare në këto shtete. Ligj të veçantë për gjuhë standarde nuk ka askund në botë, mirëpo nëse ne duam të bëjmë një përjashtim nga bota, atëherë kjo është çështje tjetër”. Më tutje ai shton se Akademia e Shkencave ka edhe rekomandimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, ku ka pasur diskutime dhe kundërshtim të plotë nga ana e akademikëve të gjuhës shqipe lidhur me këto nisma, të cilat janë edhe më të hershme. Zëri