Rugova: Vitet e fundit në albanistikë është investuar më pak se për një fushë futbolli

Rugova: Vitet e fundit në albanistikë është investuar më pak se për një fushë futbolli

Kultura January 14, 2020 - 10:30

Ka disa ditë që diskutohet nisma për të propozuar një ligj të ri, i cili mbron gjuhën shqipe. Këtë nismë e ka ndërmarrë Akademia e Shkencave në Shqipëri e cila ka deklaruar se do t’ia propozojë qeverisë shqiptare një ligj për ruajtjen dhe për zhvillimin e gjuhës. Kjo temë ka hapur shumë diskutime edhe mes gjuhëtarëve, studiuesve e profesorëve  në Kosovë. Për gazetën “Zëri’ gjuhëtarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” thonë se gjuha jonë duhet të kultivohet dhe të mbrohet përmes mekanizmave të tjerë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sipas profesorit universitar të Fakultetit të Filologjisë dhe studiuesit Bardh Rugova, mënyra më e mirë që shteti mund të ndihmojë në ruajtjen dhe në kultivimin e gjuhës nuk është një ligj, mirëpo këtë mund ta bëjë përmes fondeve që financojnë studimet e ndryshme rreth saj. Rugova më tutje thekson se shqipja nuk ka nevojë për një ligj të tillë.

“Nga kush të mbrohet shqipja? Nga shqiptarët? Budallallëk! Nëse një qeverie do t'i kishte interesuar shqipja, atëherë ajo do të duhej të hapte fonde për studimin e saj dhe të dialekteve të saj”. Më tutje, sipas profesorit universitar, shteti shqiptar dhe ai i Kosovës vitet e fundit kanë investuar minimalisht për gjuhën shqipe. “Janë investuar shifra minimale, sigurisht shumë-shumë më pak se investimet për një fushë futbolli. Për disa vite për albanistikën është investuar më pak se për një fushë futbolli”, ka theksuar Rugova, duke shtuar se nëse vërtet duan të interesohen për shqipen, atëherë le të investojnë për studimin e saj e të mos bëhen gaz i botës dhe i komuniteteve linguistike nëpër botë. Zëri