Botohen pas vdekjes së veprimtarit Gani Sylaj dy dorëshkrime të tij

Botohen pas vdekjes së veprimtarit Gani Sylaj dy dorëshkrime të tij

Kultura January 15, 2020 - 10:22
Image


Të martën në Bibliotekën Kombëtare para një audience të madhe u shënua ditëlindja e 68-të e autorit  të ndjerë Gani Sylajt, që vdiq më 4 korrik, dhe u bë promovimi i dy librave të tij të lënë dorëshkrim. Libri  me tregime “Shenja e përkatësisë” dhe ai i kujtimeve “Burg pas burgu”, vazhdim i librit “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, që autori e botoi për së gjalli janë veprat monumentale, të cilat u përuruan. Në nderim të jetës dhe të veprës së autorit të pranishmit mbajtën një minutë heshtje,shkruan sot gazeta "Zëri".

 

Krasniqi: Bota kishte parë djegien e librave dhe shteti policor i burgoste lexuesit

 Libri “Shenja e përkatësisë” shpalos autorin në gjithë përmasën e veprimit dhe të formimit. Ai paraqet një rrëfim në  vetën e parë, por që kalon përmasat e individuales sepse e tillë ishte jeta e secilit që aspironte lirinë, barazinë dhe bashkimin e kombit. Ndërsa “Burg pas burgu” është nga librat e rrallë më tematikë qendrore jetën e burgut. Ai paraqet skenat dhe prapaskenat, dhunën dhe terrorin, proceset e rënda e hetuesisë,  ditët, muajt e vitet në burg, procese e dënime të pafundme për shtetin policor që e tmerronin idetë revolucionare për lirinë e shtetit.  

Jakup Krasniqi, koleg i autorit, në fjalën e tij të rastit tha se ka nderin të flasë për dy librat e njeriut me të cilin i lidhi rruga jetësore, që nga rinia e hershme e deri te formimi intelektual. “Të dy librat që sot u botuan dëshmojnë përkushtimin e autorit për të treguar se ç’duhet thënë e treguar për brezat, për të rrëfyer frymën që formojnë personalitetin dhe secilës frymë ai përkushtoi një jetë të tërë. I dhimbshëm është fakti që autori nuk arriti t’i botonte”, tha Krasniqi, duke shtuar se latinët e lashtë kanë thënë se fjalët i merr era e shkrimet mbesin. “Jam i bindur se secili lexues do të bindet se çfarë ishte një shtet i huaj. Me Ganiun nisëm rrugën jetësore dhe aspak të lehtë, atë të mësuesisë. Ne që kemi qenë me vite në këto burgje e dimë se çfarë do të thotë libri në ato vende. Bota kishte parë djegien e librave dhe shteti policor i burgoste lexuesit”, përfundoi Krasniqi.

Gjatë përurimit aktori i njohur Çun Lajqi fragmentoi një pjesë të shkëputur nga libri “Burg pas burgu”, ku autori i përshkruan ndjenjat dhe përjetimet e tij pas marrjes së lajmit se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin vrarë në mënyrë kriminale.

 

Libra që flasin për sakrificat e mëdha për liri


Nga Tirana për të nderuar përurimin e librave i pranishëm ishte edhe studiuesi Behar Gjoka. Sipas tij, librat që e  kapërcejnë kohën e shkrimit ai i sheh si libra me vlerë të rëndësishme. Librat “Shenja e përkatësisë” dhe “Burg pas burgu” ai i fut në këtë listë librash të rëndësishëm. “Këto dy librat i fus në librat e rëndësishëm sepse janë një dëshmi, pa to nuk mund ta përkujtojmë të kaluarën. Këta libra na japin shansin që ne të dialogojmë me Ganiun dhe me kohën që lamë pas”, tha ai.

Tutje Gjoka tha se po ta shfletosh librin “Burg pas burgu” është si të jetosh në ferr, por ka edhe një dritë, ajo është liria, shpresa, e nesërmja. “Mjafton të mendosh se si ishin vuajtjet në kohën e Jugosllavisë dhe të kuptosh se çfarë sakrificash, çfarë dhunimesh e tmerresh të paimagjinueshme ka përjetuar ky njeri dhe bashkatdhetarët. Në këtë mozaik pamjesh e bën librin të lexueshëm, tronditës, libër kujtimesh ku dëshmitë janë si të gjalla dhe të sjellin atë kohë dhunimi, por njëherësh dhe kohë shprese”, përfundoi Gjoka.

E profesor Ibrahim Gashi tha se në këtë libër duke lexuar përshkrimin e saktë, shumë kreativ dhe më një përzgjedhje pikante të momenteve të rëndësishme që duhej të evidentoheshin në një libër konsideron se secili i burgosur politik do ta gjejë historinë e tij. Ai tha se autori ka përshkruar më mirë se çdokush vështirësitë në ato burgje dhe rrethanat e rënda të dhunës fizike e psikike të inspektorëve të UDB-së. “Librat e autorëve të veçantë për nga kontributi që kanë dhënë në lëvizjet kombëtare janë burimet më të vlefshme krahas dokumenteve për të shkruar historinë e atyre lëvizjeve. Autori i librit, patrioti dhe intelektuali duke rrëfyer në vetën e parë, por duke folur më shumë për shokët e tij dhe rrethanat e rënda të dhunës fizike e psikike të inspektorëve të UDB-së, vetmisë, izolimit, grevës e urisë ka përshkruar shumë më mirë se çdokush vështirësitë në ato burgje” tregoi Gashi.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, foli për autorin e librit Gani Syla dhe tha se autori me kontribute të mirëfillta shkrimore ka qartësuar aspektet kruciale të veprimtarisë së tij atdhetare.  Gani Sylaj u lind më 14 janar 1952 në fshatin Kishnarekë (Drenas). Ai ishte veprimtar dhe atdhetar, emancipues i brezave të tërë, i burgosuri politik dhe njeri i përkushtuar në shërbim të çështjes kombëtare dhe të atdheut. Zëri