Kurti: Ende nuk ka vendim final për shuarjen e Ministrisë së Kulturës

Kurti: Ende nuk ka vendim final për shuarjen e Ministrisë së Kulturës

Kultura January 20, 2020 - 10:23
Image


Nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arrijnë ta krijojnë qeverinë e re të Kosovës ende nuk dihet saktësisht se çfarë do të ndodhë me Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, ani pse ditët e fundit komuniteti kulturor i vendit është përfshirë në një debat se a duhet ose jo të shuhet kjo ministri. Një ide për shpërbërjen e këtij institucioni ka ardhur nga diskutimet e të dyja partive për formimin e kabinetit qeveritar.  Fundjavën që shkoi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh pretenduesi për kryeministër, Albin Kurti, mori pjesë në një diskutim të hapur për kulturën të organizuar në “KultPlus Caffe Gallery”. I pyetur për Ministrinë e Kulturës, Kurti aty deklaroi se ai nuk e ka menduar asnjëherë shuarjen e saj, përkundrazi ajo është menduar të jetë brenda 12 ministrive.

Kurti: Nuk e kam menduar shuarjen e Ministrisë së Kulturës              

Çështja e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit ishte një nga problematikat kryesore që u shtruan para pretenduesit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtit, nga pjesëmarrësit në debatin publik, i organizuar veçanërisht për kulturë. Aty Kurti theksoi se ende nuk ka dakordim final se si do të funksionojë ky institucion, duke shtuar se ai nuk e ka menduar shuarjen e saj. “Jemi dakorduar t’i zvogëlojmë në 12 ministri e Ministria e Kulturës është njëra prej 12 ministrive dhe është diskutuar që sporti t’i bashkëngjitet shëndetësisë, por nuk jemi dakorduar për këtë, rrjedhimisht nuk e kemi një qëndrim final”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, Ministria e ka zanafillën te shërbimi i qytetarëve në kulturë dhe në art, pra është për të gjithë qytetarët për të krijuar një barazi në qasje në mënyrë që prodhimi artistik të mos jetë vetëm për një shtresë shoqërie të privilegjuar “Arti është realitet, ai do të duhej të ishte i tillë dhe të gjithë të kenë qasje në të, sepse nuk është si shumë fusha të tjera. Kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo si e tillë nuk është koncept i vjetër, është diku rreth 60-vjeçar dhe vjen prej Francës sepse Malrou si themelues ishte historian arti dhe ishte i interesuar që popullata franceze të ketë qasje sa më shumë në art dhe në kulturë”, theksoi ai.

Kurti insistoi që shoqëria duhet ta bëjë artin kulturë, sepse ajo duhet të jetë më shumë artistike dhe kronologjike. “Duhet të jetë detyrë e një shoqërie që sa më shumë artin ta bëjë kulturë, sepse ka edhe kulturë joartistike, por tendencën duhet ta kemi që kultura të jetë sa më artistike dhe arti të jetë sa më shumë kulturë. Derisa arti është realitet, kultura është vazhdimësi, arti është më parë ngjarje, ndërsa kultura më parë është gjendje, pra duhet t’i bëjmë ngjarjet të jenë sa më të shumta dhe në anën tjetër t’i bëjmë gjendjet sa më interesante, ta bëjmë kulturën artistike”, u shpreh ndër të tjera i pari i Vetëvendosjes.

Teatri i Operës dhe i Baletit, i domosdoshëm

Mungesa e Teatrit të Operës dhe të Baletit vazhdon të jetë një nga problematikat kryesore me të cilën përballet komuniteti artistik në Kosovës tash e shumë vite. E ketë shqetësim ata nuk e lanë pa e shtruar as para Albin Kurtit. Ky tha se Teatri i Operës dhe i Baletit është në prioritetet e tij, sepse ai operën e sheh si popullore dhe jo si lloj për një shtresë shoqërore të privilegjuar. “Teatri i Operës dhe i Baletit është e domosdoshme të ndërtohet, sepse kemi ngelur ende pa e themeluar këtë institucion që është elementar. Opera nuk është vetëm për të privilegjuarit, Filarmonia është më tepër e tillë, nuk duhet ta mendojmë që aty duhet të shkojnë vetëm disa njerëz të zgjedhur, të cilët le të themi janë pjesë e shtresës dominuese të shoqërisë”, tha ndër të tjera Kurti.

Gjatë këtij diskutimi ai përmendi ndër të tjera edhe idenë që institucionet e kulturës ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm. Theksin e vuri te teatrot dhe te krizat e tyre financiare. “Në synimin tonë ne duam që institucionet ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, sepse besojmë se ato duhet të ekzistojnë. Posaçërisht Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve duhet të kenë financimin e rregullt, sepse pasiguria e artistëve tanë është plot ankth dhe shpesh i shtynë ata jashtë kulturës për të mbijetuar”, tha ai.

Për fund Kurti u shpreh se sukseset që kanë treguar filmat tanë në vitet e fundit janë dëshmi se shteti dhe Ministria duhet të vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm kulturën.Zëri