Libri i javës  “Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sullivan

Libri i javës “Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sullivan

Kultura January 20, 2020 - 10:35

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sullivan. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare” dhe është përkthyer në shqip nga Agim Doskani.

Aksion, aventurë, dashuri, luftë dhe një hero epik - të gjitha këto të vendosura në një nga periudhat më të errëta të historisë. “Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sullivan ka gjithçka që mund të kërkohet nga një roman i jashtëzakonshëm i Luftës së Dytë Botërore.

Libri tregon se si personazhi Pino Lela nuk dëshiron të ketë të bëjë fare me luftën ose me nazistët. Është një adoleshent normal italian, i dhënë pas muzikës, pas ushqimit dhe pas vajzave, por ditët e tij të pafajësisë janë të numëruara. Kur shtëpia e familjes së tij në Milano shkatërrohet nga bombat e aleatëve, Pinoja i bashkohet një grupi njerëzish që përpiqen të shpëtojnë hebrenjtë duke i kaluar përtej Alpeve. Aty njihet me Anën, një vejushë e bukur gjashtë vjet më e madhe se ai. Në përpjekje për ta mbrojtur, prindërit e Pinos e detyrojnë të regjistrohet si ushtar gjerman, një masë që mendonin se do ta mbante larg luftës. Por, pasi plagoset, Pinoja rekrutohet në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare për t’u bërë shoferi personal për të besuarin e Adolf Hitlerit në Itali, gjeneralin Hans Lejers, një nga komandantët e mistershëm dhe të fuqishëm të Rajhut të Tretë. Tani, me mundësinë për të spiunuar për aleatët nga brenda komandës së lartë gjermane, Pinoja përjeton tmerret e luftës dhe pushtimin nazist duke luftuar në fshehtësi, ndërsa guximi i shtohet nga dashuria për Anën dhe për jetën që ëndërron të bëjë një ditë përkrah saj. Andree Gross, autor i librit “Njeriu i vetëm” shkruan se libri “Nën qiellin e përflakur” është si ato fotografitë ikonë të Luftës së Dytë Botërore. “E shtrirë, e trazuar, si historitë më të pasura, e vendosur në sfondin e heroizmit dhe tragjedisë. ‘Nën qiellin e përflakur’ është si ato fotografitë ikonë të Luftës së Dytë Botërore: një fytyrë plot shpresë dhe lot, historia e një jete të vogël, por me rëndësi të madhe”, shkruan ai.

Librin “Nën qiellin e përflakur” mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku”, në Prishtinë.Zëri