Pesë filma të Robert Bressonit ekranizohen në kinemanë 'Armata'

Pesë filma të Robert Bressonit ekranizohen në kinemanë 'Armata'

Kultura January 22, 2020 - 10:03

Në kinemanë “Armata” në Prishtinë po mbahet aktualisht “Java e Filmave të Robert Bressonit”, që i dedikohet veprës kinematografike të njërit nga filmbërësve më të shquar francezë. Gjatë kësaj jave nga 20 janari e deri më 24 janar 2020 do të shfaqen gjithsej pesë filmat e tij. Filmat nga seria “Bresson 101” me regji të Robert Bressonit, që do të shfaqen në kinemanë “Armata” janë: "Les Dames du Bois de Boulogne" (1945), "Pickpocket" (1959), "Au Hasard Balthazar" (1966), "Lancelot du Lac" (1974) dhe "L'Argent" (1983), shkruan sot gazeta "Zëri".

Në kuptim si akademik, ashtu edhe joformal, “101” përcakton faktet bazike të lidhura me një fushë ose çështje të caktuar. Siç thonë organizatorët, gjatë “101”-s “Armata’ shndërrohet në fushë mësimi për fillestarët dhe për entuziastët, duke ofruar këndvështrim të freskët mbi disa prej filmave dhe autorëve më me ndikim të kohës sonë. “‘Armata’ ka kënaqësinë të njoftojë për bashkëpunimin e radhës me ‘Alliance Française de Pristina’, me Ambasadën e Francës në Kosovë dhe me ‘IF Cinema’ në shfaqjen e disa prej punëve më të rëndësishme dhe relevante të autorëve francezë para publikut të Prishtinës dhe të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj kinemaje.

Robert Bresson (1901-1999) ishte ndër filmbërësit më të respektuar francezë të të gjitha kohërave; aktorët e tij joprofesionistë, elipset dhe përdorimi i paktë i muzikës bënë që puna e tij të konsiderohet si paraardhëse e filmit minimalist. Bressoni ishte trajnuar si piktor para se të kalonte në film si skenarist, duke prodhuar filmin e shkurtër “Public Affairs” në vitin 1934. Pasi kaloi më shumë se një vit si i burgosur gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai debutoi me “Angels of Sin” (1943). Filmi i tij i ardhshëm, “Les Dames du Bois de Boulogne” (1945), do të ishte i fundit kur ai do të punonte me aktorë profesionistë. Nga “Journal d'un cure de campagne” (1951) tutje, ai krijoi stil unik minimalist ku gjithçka përveç pjesëve esenciale largoheshin nga filmi (shpesh, detajet kryesore vetëm tregoheshin me fjalë), ku aktorët (ai i quante “modelë”) jepnin qëllimisht performanca të zbehta dhe pa emocione. Ky ishte stil i vështirë, sfidues dhe jashtëzakonisht personal, për shkak të cilit filmat e tij nuk gjetën popullaritet të madh (mesatarisht ai prodhonte një film çdo pesë vjet), por ai konsiderohet kult regjisor ndër kritikë të cilët e shohin si njërin ndër artistët më të mëdhenj në historinë e kinemasë. Ai u pensionua në vitin 1980, pasi nuk i ishte financuar adaptimi i shumëpërgatitur i “Book of Genesis”.


“Les Dames du Bois de Boulogne” (“Zonjat e Bois de Boulogne”-s) është një film francez i realizuar nga Robert Bresson në vitin 1945. Filmi tregon historinë të cilin e mashtrojnë që të martohet me një prostitutë.  Ky film francez i menduar dhe unik zbulon lidhjen çuditërisht të thellë midis Marie (Anne Wazemsky), një vajzë e ndjeshme në fermë dhe gomaricës së saj të dashur, Balthazar. Në anën tjetër “Lancelot du Lac” është një film drama fantazi franceze në 1974, i shkruar dhe i drejtuar nga Robert Bresson. Ai rrëfen historinë e dashurisë së Lancelot dhe Guinevere dhe bazohet në legjendën Arthurian dhe romancat mesjetare, veçanërisht ciklin “Lancelot-Grail” dhe veprat e Chrétien de Troyes. E përbashkëta e filmave të mëvonshëm të Bressonit ishte kasti ishte i përbërë nga aktorë amatorë, disa prej të cilëve nuk u shfaqën në asnjë film tjetër. Regjia e Bressonit kërkonte një mungesë të qëllimshme të emocionit në stilin e aktrimit dhe zvogëlonte ose eliminonte elementet fantastike të legjendës së Grailit. Ndërsa pjesa më e madhe e prodhimtarisë është stiluar me dashje si "Romancë mesjetare”.

Të gjithë filmat do të shfaqen në gjuhën origjinale me titra shqip dhe hyrja është falas. Kinemaja “Armata” përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) dhe gjendet në rrugën “Brigada e Kosovës”, prapa amfiteatrit të sheshit “Zahir Pajaziti”. Zëri