San Marino thërret artistët e Mesdheut

San Marino thërret artistët e Mesdheut

Kultura January 23, 2020 - 10:55

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka publikuar thirrjen për aplikim të artistëve shqiptarë për pjesëmarrje në bienalen me titull “Mediterranea 19 - school of  waters”, që do të realizohet në Republikën e San Marinos, nga data 22 - 25 tetor. Institutet kulturore të Republikës së San Marinos në bashkëpunim me Universitetin e San Marinos dhe me BJCEM-in kanë publikuar në uebthirrjen për bienalen e artistëve të rinj “Mediterranea 19” dhe është e hapur për artistët, për shkrimtarët dhe për studiuesit, nga mosha 18 deri 35 vjeç (të lindur nga 1 janari 1984), që vijnë nga ose bazohen brenda një plejade territoresh, të cilat lidhen me Detin Mesdhe si: Shqipëri, Algjeri, Austri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Qipro, Egjipt, Francë, Greqi, Itali, Jordani, Liban, Libi, Maltë, Mal i Zi, Marok, rajoni nordik Norvegjia, Suedia, Danimarka, Finlanda, Greenlanda, Ishujt Faro, Palestina, Republika e San Marino, Serbia, Siria, Sllovenia etj. Afati i fundit për aplikimin është data 26 janar 2020, ora 20:00. Përzgjedhjet do të bëhen në datat 14-15 dhe 16 shkurt, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Deri në fund të shkurtit do të prezantohet lista e artistëve të përzgjedhur. Ministria shprehet se këtë vit struktura e thirrjeve të hapura nuk do të ndahet me disiplina, por do të paraqesin shtigje kuratoriale. “Të gjitha aplikimet do të mblidhen direkt nga BJCEM-i, i cili do t’i shpërndajë punimet te kuratorët dhe tek anëtarët për vlerësim, por përzgjedhja përfundimtare u është deleguar kuratorëve”, thuhet në njoftim.

Ministria e Kulturës ka të rezervuara dy kuotat për pjesëmarrje. Bienalja “Mediterranea 19 - Shkolla e Ujërave” do të zhvillohet në institucionet publike dhe vendet e Republikës San Marino, duke përfshirë: Cisternat e “Pianello”-s; Institutet kulturore të San Marinos: Galeria Kombëtare e San Marinos; Teatri “Titano”; Muzeu “San Francesco”; Rocca Guaita (Kulla e Parë); Muzeu i Historisë Natyrore; Universiteti i Republikës së San Marinos / Manastiri i lashtë i Santa Kiarës; Qendra e Përhershme e Studimit për Muzeun – Emigrant - Muze të Republikës së San Marinos; Ambasada e Italisë në San Marino etj. Kuratorë të Bienales do të jenë: Alessandro Castiglioni - Itali; Simone Frangi - Itali / Francë (themeluesit dhe drejtorët e A Oasis Natural). Ndërsa pjesë e bordit kuratorial do të jenë: Theodoulos Polyviou, Panos Giannikopoulos, Angeliki Tzortzakaki, Nicolas Vamvouklis, Giulia Gregnanin etj. Bienalja do të mbahet në tetor dhe fituesi do të njoftohet publikisht nga organizatorët e BJCEM-it dhe do të shpallen në ueb të Ministrisë së Kulturës. Zëri