'Graviteti' i teatrit “Oda” shfaqet sonte në Gjilan

'Graviteti' i teatrit “Oda” shfaqet sonte në Gjilan

Kultura January 24, 2020 - 10:39

Publiku gjilanas mirëpret sonte, në orën 19:00, shfaqjen “Graviteti”, të autorit Lirak Çelajt, me regji të Florent Mehmetit. Shfaqja nga Prishtina, që është prodhim i teatrit “Oda”, shfaqet në kuadër të festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky festival, që mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka nisur më datën 22. Pas kësaj shfaqjeje, më datën 25 prezantohet shfaqja “Trenat” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nga autori Haqif Mulliqi, me regji të Zanë Durakut. “Talia e Flakës” përfundon me shfaqjen “a.y.l.a.n”, me tekst të Jeton Nezirajt e me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Festivali “Talia e Flakës” ka karakter garues dhe është festivali i vetëm teatror mbarëkombëtar, i cili është i profilizuar në kuptimin se vetëm teatrot që përgjatë një viti kanë prodhuar shfaqje me tekste a drama të autorëve shqiptarë mund të marrin pjesë dhe t’i përfaqësojnë vendet e tyre. Kjo e bën Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe të vetmin festival teatror, i cili ndihmon në zhvillimin e dramaturgjisë shqipe. Si çdo vit tjetër, edhe në këtë edicion do të ndahen çmimet e festivalit, ndërsa juria pritet të bëhet e ditur në ditën e hapjes së festivalit.

Për gazetën “Zëri” drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, tregoi se për organizatorët e festivalit çmimi më i veçantë është ai “Drama më e Mirë”. “Janë çmime të ndryshme, të cilat e karakterizojnë këtë festival dhe për ne çmimi kryesor është çmimi ‘Drama më e Mirë’, pastaj është çmimi ‘Shfaqja më e Mirë’, ‘Regjia më e Mirë’ dhe ‘Aktori më i Mirë’”, tha Zymberi, duke shtuar se janë jashtëzakonisht të kënaqur me përkrahjen që e kanë marrë nga Komuna e Gjilanit për organizimin e festivalit.

Dy programe të reja i janë shtuar festivalit “Talia e Flakës”. Bëhet fjalë për flakën “esPRESSo” dhe flakën “iNTERAKTIVE”, të cilat janë dy programet e veçanta, që edhe sivjet do të vijnë në kuadër të këtij festivali. Për “Zërin” Zymberi shpalosi më shumë detaje nga këto programe. “‘EsPRESSo’ është një program yni, i cili flet me miqtë, me partnerët e festivalit dhe me mediet, me të cilët e diskuton rrjedhën e festivalit dhe normalisht diskuton shfaqjen, që mbrëmjen e kaluar është dhënë në festival. Të gjitha këto diskutime pastaj shkruhen, editohen dhe redaktohen për t’u botuar më vonë në librin e ‘Flakës’. Ky libër i ‘Flakës’ përmban një përmbledhje të shkurtër të të gjitha aktiviteteve që zhvillohen gjatë festivalit”, tha Zymberi, duke treguar se në anën tjetër  flaka “iNTERAKTIVE” mbahet menjëherë pas flakës “esPRESSo”. “Është një diskutim ose një tryezë me emra të njohur të fushës së kulturës, me të cilën gjatë manifestimit pjesëmarrësit: miqtë, publiku, gazetarët etj., në mënyrë interaktive mund të diskutojnë për tema që janë me interes për teatrin ose për fushën kulturore”, tregoi Zymberi. Si çdo vit, edhe këtë herë “Talia e Flakës” po mbledh publik të gjerë. Zëri