Shtatë ekspozita personale dhe katër kolektive prezantohen sivjet në GKK

Shtatë ekspozita personale dhe katër kolektive prezantohen sivjet në GKK

Kultura January 25, 2020 - 08:00
Image

Galeria Kombëtare e Kosovës ka bërë publik programin e vet për vitin 2020. Siç bëhet e ditur, programi i ekspozitave, si programi kryesor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, sivjet përfshin njëmbëdhjetë ekspozita, që do të hapen në GKK, nga të cilat shtatë janë individuale. Artin e tyre individualisht do ta shpalosin në GKK Burim Gashi, Lirie Buliqi, Alban Muja, Sigmar Polke, Jakup Ferri, Zharko Bashevski dhe Eliza Hoxha. Përveç tyre, në institucionin kryesor të artit pamor në Kosovës gjatë 2020-s vijnë katër ekspozita grupore. Ato janë të përgatitura nga: Onufri Remade, Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës, artistët nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe bienalja “Muslim Mulliqi”. Pos kësaj, përmes shkëmbimit të ekspozitave GKK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë Veriore, Bosnjë e Hercegovinën dhe Turqinë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Programi i vitit 2020 është aprovuar nga Këshilli Drejtues i GKK-së dhe është dorëzuar në MKRS-ja për aprovim. Menaxhmenti dhe KD-ja sërish mëtuan që në program të inkuadrojnë sa më shumë projekte që pasqyrojnë realitetin tonë, si dhe atë të artit bashkëkohor në botë. “Qëllimi ynë me rastin e përpilimit të programit ishte që të prekim sa më shumë çështje globale dhe lokale, që e influencojnë kulturën dhe artin e anasjelltas. Këtë do ta realizojmë duke ngritur ide të reja përmes qasjes inovative drejt një shoqërie sa më të pasur kulturalisht dhe artistikisht, jodiskriminuese dhe gjithëpërfshirëse - pa dallim gjinie, race, orientimi seksual ose bindjeje politike”, thuhet në njoftimin zyrtar të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Më tutje ky institucion thekson se plani i tyre është që edhe sivjet të pasurojmë programin me aktivitete të ndryshme, që tejkalojnë kufijtë tradicionalë mes disiplinave artistike, gjithmonë duke shpresuar se edhe kushtet në të cilat punojmë do të përmirësohen dukshëm, duke filluar nga infrastruktura e ndërtesës së galerisë e deri te puna e pavarur institucionale.

Ndërkaq në Strehimoren e Bregut të Diellit do të hapet ekspozita permanente e koleksionit të GKK-së në kuadër të projektit “Strehimorja e Artit Modern dhe Bashkëkohor” të filluar qysh para dy vjetësh me Komunën e Prishtinës. Programi i Edukimit do të vazhdojë për të tretin vit me radhë me projektin “Artteen Club”, i cili sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës u tregua shumë i suksesshëm për nga rritja e interesimit për aktivitete produktive nga ana e të rinjve, si dhe për nga orientimi në karrierë, duke i mësuar ata diçka më shumë për artin bashkëkohor.

Edhe sivjet Galerisë Kombëtare të Kosovës nuk do t’i mungojë programi i ligjëratës dhe i debatit. Ky program do të zhvillohet sërish në GKK në bashkëpunim me disa institucione ndërkombëtare, ku persona të rëndësishëm nga skena ndërkombëtare e artit bashkëkohor, si kuratorë, teoricienë etj., do të mbajnë punëtori dhe ligjërata në GKK me qëllim zhvillimin e strukturave të qëndrueshme punuese dhe bashkëpunuese mes artistëve

dhe punëtorëve kulturorë. “Pos përgatitjeve që tanimë kanë filluar,edhe ky do të jetë njëri

nga hapat e parë të GKK-së si partnere e ‘Manifestës 14’, bienales nomadike që do të mbahet më 2022-n në Prishtinë”, theksohet më tutje në njoftimin e këtij institucioni.

Gjatë vitit 2020 Galeria Kombëtare e Kosovës planifikon të dalë me disa publikime të pavarura nga ekspozitat e përkohshme në kuadër të Programit të Hulumtimit dhe të Publikimeve e që do të jenë të fokusuara në koleksionin e GKK-së. Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua në vitin 1979 si institucion kulturor për prezantimin e artit pamor dhe për ruajtjen e mbledhjen e veprave më me vlerë. Për këto 30 vjet të veprimtarisë ky institucion ka organizuar afro 500 ekspozita në vend dhe në botën e jashtme, të cilat janë përcjellë me shumë botime dhe blerjen e afro 1000 punimeve artistike, nga të cilat është formuar një fond i pasur i Galerisë. Zëri