Ismail Kadareja feston ditëlindjen e 84-t

Ismail Kadareja feston ditëlindjen e 84-t

Kultura January 28, 2020 - 10:27
Image

Tetëdhjetekatër vjet më parë, më 28 janar të vitit 1936, u lind në Gjirokastër Ismail Kadareja, shkrimtari i shquar shqiptar. Kadareja është njëri nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel në Letërsi”. Ai shquhet për novela, për romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Në vitin 1958 mbaroi Degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në institutin e letërsisë botërore "Maksim Gorki" (1958-1960). Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve në mbi 45 gjuhë të huaja, ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Në Shqipëri sot funksionojnë dy muze, që i bëjnë nder veprës së Kadaresë. Shtëpia ku ai u lind në Gjirokastër është e hapur për vizitorë, njësoj si edhe apartamenti i tij në Tiranë, ku u shkruan shumica e veprave të tij. Përmes vizitave në këto dy lokacione, që dikur ishin shtëpi të shkrimtarit, publiku mund ta njohë më mirë atë dhe veprën e tij. Në fushën e prozës Ismail Kadareja ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit ose të analogjive historike. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970). Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, e temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual, që është i aftë t'ia japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë pritur shumë mirë nga lexuesit e vendeve të tjera. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Në vjeshtën e vitit 1990 Ismail Kadareja vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.Zëri