Billie Eilish rrëmben 4 çmimet kryesore në  'Grammy'

Billie Eilish rrëmben 4 çmimet kryesore në 'Grammy'

Kultura January 29, 2020 - 10:04

Në natën e madhe të ndarjes së çmimeve “Grammy” në Los Angeles këngëtarja 18-vjeçare, Billie Eilish, ka rrëmbyer të gjitha shpërblimet kryesore. Ylli i muzikës pop ishte nominuar në më së shumti kategori dhe arriti të triumfojë në katërshen kryesore. Ajo fitoi çmimin “Albumi më i Mirë i Vitit” për albumin debutues të incizuar në shtëpinë e saj në Los Angeles, “When We All Fall Asleep, Where Do We Go”. U shpërblye me çmimin “Kënga më e Mirë e Vitit” dhe “Incizimi më i Mirë i Vitit” për këngën “Bad Guy” dhe “Artistja më e Mirë e Re”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Billie ishte tejet e emocionuar për çmimet e fituara dhe nuk e besonte që ndodhej aty. Madje u shpreh me shaka: “Po ndihem sikur e kanë lënë brenda aksidentalisht një fanse”. Gjatë marrjes së çmimit “Albumi më i Mirë i Vitit” iu drejtua të nominuarës tjetër Ariana Grandes, duke thënë: “A mund të them se mendoj që Ariana e meriton këtë?”.
Me të dalë në skenë për të pranuar çmimin tjetër “Kënga më e Mirë e Vitit” Eilish tha se: “Edhe shumë këngë të tjera e meritojnë këtë shpërblim. Shumë faleminderit, ky është çmimi im i parë ‘Grammy’. Asnjëherë në jetë nuk e kisha menduar se kjo gjë mund të ndodhte, ngase jam rritur duke i parë këta artistë duke u nderuar në këtë ceremoni”.

Çmimin “Artistja më e Mirë e Re” në skenë ia ndau këngëtarja kosovare Dua Lipa, e cila vitin e kaluar kishte triumfuar në të njëjtën kategori. Para të pranishmëve në sallë Lipa tha: “Ka aq shumë producente, artiste, kantautore dhe inxhiniere të jashtëzakonshme. Nëse merreni me këtë biznes dhe jeni duke kërkuar punëtorë në këto lami, atëherë ju lutem t’i merrni në konsideratë këto gra të mahnitshme dhe tejet të talentuara, sepse të gjitha ne e meritojmë një ulëse në secilën tavolinë”. Vëllai i saj më i madh, Finneas O’Connell, është shpallur “Producenti i Vitit” për punën që e ka bërë në albumin e Eilishit.

Duke qëndruar i hutuar dhe i lumtur në skenë ai ka treguar se pse albumi është incizuar në shtëpinë e tyre dhe tha: “Ne nuk e punuam këtë album për të fituar një ‘Grammy’, kjo është për të gjithë ata fëmijë që bëjnë muzikë në dhomën e tyre të gjumit”.

Një tjetër fituese e madhe e ceremonisë “Grammy” ishte edhe Lizzo. Këngëtarja u shpërblye në gjithsej 3 kategori të mbrëmjes, duke përfshirë këtu çmimet: “Performanca më e Mirë Pop” për hitin e saj “Truth Hurts”, “Performanca më e Mirë Tradicionale R&B” për këngën “Jerome” dhe “Albumi më i Mirë Urban” për albumin “Cuz I Love You”.

Çmimi “Bashkëpunimi më i Mirë Rep” u është ndarë artistëve DJ Khaled, Nipsey Hussle dhe John Legend për këngën “Higher”, ndërsa “Kënga më e Mirë Rep” u shpall kënga e yjeve 21 Savage dhe J. Cole, “A Lot”.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Grammy” u hap me një dedikim kushtuar yllit tashmë të ndjerë të basketbollit Kobe Bryantit, i cili vdiq në një aksident me helikopter në mëngjesin e së dielës. Zëri