'Exil'-i i Visar Morinës mirëpritet në 'Sundance'

'Exil'-i i Visar Morinës mirëpritet në 'Sundance'

Kultura January 29, 2020 - 10:05

Filmi “Exil” nga Visar Morina pati premierë të jashtëzakonshme dhe u prit me vlerësim të lartë nga publiku dhe nga kritikët në “Sundance”, në festivalin më të madh të filmave të pavarur në SHBA. Përmes një njoftimi për medie Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar këtë moment si një moment historik për filmin dhe për kinematografinë kosovare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit. "Po ta shikosh në përgjithësi unë jam vetë i huaj, edhe pse kam shtetësi gjermane; dhe nuk ndodh në asnjë mënyrë të jesh i huaj në Evropë e të mos kesh ndonjëherë mendime si të Xhaferit. Disa nga detajet e filmit vijnë nga përvoja ime dhe e familjes sime", thotë regjisori  Morina, i cili u arratis në Gjermani me familjen e tij kur ishte 15 vjeç, në kohën e Slobodan Milosheviqit.

“Exil”-i është bashkëprodhim në mes të “Komplizen Film”-it Gjermani, “Ikonë Studio”-s Kosovë dhe “Frakas”-it nga Belgjika, i financuar nga Ministria për Kulturë dhe Medie, “Film- und Medienstiftung NRW”, “German Federal Film Fund”, “Belgium Film Tax Shelter”, “Medienboard Berlin Brandenburg”, Qendra Kinematografike e Kosovës, “Eurimages” dhe “German Federal Film Board”. “Exil”-i po ashtu sjell një kastë me aktorë të mirënjohur, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj e Ameli Kabashi. Zëri