'My Sekret War' i Rina Hajrës shfaqet në Phoenix Film Festival

'My Sekret War' i Rina Hajrës shfaqet në Phoenix Film Festival

Kultura February 19, 2020 - 08:05

Filmi “My Sekret War” i regjisores së re kosovare që jeton në ShBA, Rina Hajra, do të shfaqet në Phoenix Film Festival. Lajmin e ka bërë të ditur vet regjisorja Hajra, shkruan sot gazeta "Zëri".
“Jam shumë e entuziazmuar të ju njoftoj që filmi ynë është përzgjedhur dhe do të shfaqet në Phoenix Film Festival. Ky është një nder i madh sepse Phoenix është shtëpia jonë, dhe ato shfaqin filma të jashtëzakonshëm çdo vit”, ka njoftuar Hajra.

Ndonëse ishte vetëm 7 vjeçe kur u largua nga Kosova, kjo nuk e ka ndaluar Rina Hajrën nga Ferizaj, të frymëzohet për ta realizuar një film për vendin nga vjen. Përkundrazi, arsyeja e ikjes, që është lufta e fundit në Kosovë, ka bërë që ajo t’i përveshë mëngët për ta realizuar një film të shkurtër, që titullohet “My Sekret War” apo në shqip “Lufta ime e fshehtë”.

Siç ka treguar Rina për gazetën “Zëri”, filmi “My Sekret War” është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta merrte si fëmijë i luftës. Filmi fokusohet në psikologjinë e njeriut se si e gjen forcën që t’i tejkalojë tragjeditë edhe sfidat dhe çfarë pasojash të tmerrshme shkakton lufta.


“Dua që ky film t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqësorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe t’u japë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë te këqijat në jetën e tyre.”, thotë Rina Hajra, duke shtuar se frymëzimi i ka ardhur nga ngjarjet nëpër të cilën ka kaluar edhe familja e saj në atë periudhë.
Hajra, e cila jeton në Arizonë të SHBA-së, thotë se refugjatët e përjetojnë luftën dy herë dhe pikërisht këtë përvojë të saj e tregon filmi “My Secret War”.

“Filmi lidhet me mua, sepse e kam përjetuar luftën dhe çka domethënë të jesh refugjate në Amerikë. Fëmijët e refugjatëve e përjetojnë dy herë luftën. Një herë si fëmijë (nëse kanë moshën që të kenë kujtime) dhe së dyti vuajtjet e familjes së ngushtë e të gjerë, domethënë emocionet bëhen pjesë e fëmijëve”, shprehet Hajrja.

“My Sekret War”, sipas saj, është një testament i fuqishëm për elasticitetin njerëzor dhe fuqinë e faljes. Është një film i ndërgjegjes shoqërore, që shqyrton temat e mizorisë njerëzore, të refugjatëve dhe çfarë do të thotë ta kesh një shans të dytë në jetë. Zëri