“Infrared: Additions” bën bashkë gjashtë artistë të rinj

“Infrared: Additions” bën bashkë gjashtë artistë të rinj

Kultura February 22, 2020 - 08:40
Image

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” do të prezantojë javën tjetër ekspozitën dypjesëshe "Infrared: Additions”, në të cilën ka bërë bashkë gjashtë artistë të rinj. Në pjesën e parë të kësaj ekspozite, e cila do të hapet më 25 shkurt në Prishtinë, do të ekspozojnë artistët: Arrita Katona, Blertë Hashani, Endrit Jashanica dhe Renea Begolli. Në anën tjetër, në pjesën e dytë të ekspozitës, e cila do të hapet më 27 shkurt, do të prezantohen Zana Begolli dhe Blend Bytyqi. Kuratorja e kësaj ekspozite Blerta Hoçia në konceptin kuratorial shkruan se duke vështruar për një moment nga natyra dhe mënyra se si ajo vepron vërejmë se ekzistojnë disa vendbanime të padukshme dhe po ashtu të përkohshme e të përhershme, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Ato i shtohen një objekti kryesor dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk vihen re menjëherë. Në rastin e foleve, këto vendbanime të zogjve, intervenimi është i një delikatese të tepruar. Sipas filozofit francez Gaston Bachelard ‘një fole – dhe këtë e kuptojmë menjëherë – është diçka e përkohshme e megjithatë na bën të ëndërrojmë për sigurinë. Pse kjo pasiguri qartësisht e dukshme nuk e ndërpret këtë lloj ëndërrimi’. Vetë fjala fole sugjeron diçka të ngrohtë, të mbrojtur e të sigurt, diçka e mbrojtur dhe e sigurt mendohet se duhet të jetë edhe e fshehur mirë”, thotë ajo. Tutje Hoçia shton se të gjitha karakteristika po përmbushen në konceptin e folesë. “Ajo është aty, lehtë e arritshme, por në të njëjtën kohë edhe e padukshme për syrin e pavëmendshëm. Pra, foletë mbeten diçka që i shtohen një hapësire tjetër pa u vënë re, nën të njëjtën frymë të padukshmërisë me të cilën janë shndërruar edhe hapësirat e qyteteve”, theknë formën e intervenimit në hapësirë, përkatësisht në hapësira të cilat janë vendbanime ose vende biznesi. Hapësira këto, që si ndodh shpesh në qytetet tona, janë shtesa të vogla ose të mëdha që u bashkëngjiten atyre ekzistueseve, në një makth vendbanimesh të mbijetesës reale ose të pangopësisë ndërtuese. Me kalimin e kohës këto hapësira,me fizionominë e të përkohshmes janë asimiluar aq mirë nga qyteti, sa janë bërë të padukshme dhe pakthyeshmërisht të përhershme. Intervenimi ynë konsiston në identifikimin e atyre hapësirave, që janë dukshëm të tepërta. Këto vende do të shndërrohen, në kohëzgjatjen e ndërhyrjes, në hapësira ekspozuese duke u dhënë mundësi artistëve të rezidencës si në këtë, por edhe në edicionet e ardhshme të hulumtojnë ato pjesë të qytetit të shtuar.

A nuk perceptohet vetë jetesa në të si e tepërt, e ngarkuar dhe pa frymëmarrje?”, theksohet në konceptin kutatorial. Punët e artistëve të rinj, që vendosen në foletë - shtesa, trajtojnë pikërisht këto tema dhe mbi të gjitha ato mund të shihen si një manifest i të drejtës për të ekzistuar, ku e përkohshmja dhe e përhershmja flenë në prehër të luftës për mbijetesë. Ato bashkëveprojnë brenda një vendbanimi të sajuar për pak kohë, i cili shpërthen prej tensionit të kundërshtimit dhe rezultat këtij shpërthimi është një big-bang ndërtesash, shtesash pa leje dhe hapësirash publike të përvetësuara. Rezidenca e artit “Infrared” është zhvilluar duke u bazuar në natyrën e rrezes infrared, e cila në përgjithësi është e padukshme për syrin e njeriut, por që mund të ndihet si nxehtësi dhe mund të shihet vetëm nën rrethana të caktuara me pajisje të veçanta.

Në të njëjtën vijë të mendimit metodologjia e rezidencës së artit “Infrared” ka për qëllim të identifikojë çështje të ndryshme, që lidhen me komunitetin dhe me të drejtat e njeriut duke përdorur pajisje të veçanta, siç është arti për të prekur dhe për të trajtuar çështje të tilla. “Infrared”-i përmes rezidencave artistike ka për qëllim që të krijojë një dialog publik mbi çështje të caktuara duke kontribuuar në ngritjen e nivelit të mendimit kritik të artistëve të rinj se si të shfrytëzojnë artin si mjet për vepruar.

Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë”, i financuar nga qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Po ashtu ky projekt mbështetet nga programi “Kultura për ndryshim”, që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa zbatohet nga qendra “Multimedia” e “Goethe Institute”. Zëri