“Ballafaqimi me të harruarën”, ekspozita që dokumenton dhimbjen për të pagjeturit

“Ballafaqimi me të harruarën”, ekspozita që dokumenton dhimbjen për të pagjeturit

Kultura February 25, 2020 - 10:28
Image


Dje në hapësirat e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Ballafaqimi me të harruarën”, me fotografi të autorëve Dardan Hoti, Rozafa Kelmendi dhe Fitim Selimi. Kjo ekspozitë ka për qëllim dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe inkurajimin e shprehjes së duhur të përkujtimit dhe të respektit për të pagjeturit në Kosovë. Fotografitë e rrëfimet, që u shfaqen përmes kësaj ekspozite, janë një triptik që kanë në fokus një të mbijetuar nëpërmjet rrëfimit, kujtimeve dhe lidhjeve emocionale të së cilit/cilës, portretizohet edhe personi i pagjetur. Prapa çdo fotografie gjenden citate, të cilat janë pjesë të rrëfimeve të jetës së familjarëve që janë dërrmuar nga pritja,shkruan sot gazeta "Zëri".

Dardan Hoti, autor i kësaj ekspozite, tha se ekspozita “Ballafaqimi me të harruarën” bazohet në hulumtimin nën të njëjtin emër, të realizuar në vitin 2014, i cili fillimisht është publikuar në disa seri në gazetën “Zëri”. Kjo ekspozitë paraqet rrëfimin e 16 personazheve që tregojnë për vuajtjen e sakrificën e tyre si familjare në kërkim të më të dashurve të tyre. “Këto intervista edhe këto fotografi janë realizuar në vitin 2014 prej meje, Rozafa Kelmendit e Fitim Selimit dhe nga 16 rrëfime e 16 personazhe që i kemi këtu janë 28 familjarë të tyre të pagjetur dhe prej vitit 2014 e deri tash më 2020-n, ku ne po e realizojmë intervistën, është gjetur trupi i vetëm një personi të këtyre familjarëve. Kjo tregon se është bërë shumë pak për të pagjeturit”, tha Hoti.

Në anën tjetër Aurela Kadriu, bashkautore e ekspozitës, u shpreh se përmes artit po mundohen ta ndërgjegjësojnë shoqërinë për këtë ngjarje të dhimbshme të popullit, në mënyrë që këta persona të mos mbeten në harresë. Ajo thotë se përgjegjës janë institucionet, për çka çështja e tyre është e varur në ajër. “Fotografitë janë të ndara në tri pjesë, në fotografi janë familjarë të personave të pagjetur. Tri pjesë të fotografisë ne kemi menduar që simbolizojnë tri lloj emocionesh, ndjenjash, me të cilët familjarë të personave të pagjetur jetojnë tash e 21 vjet, që është malli për personat të cilët i kanë humbur, humbja edhe jeta që e kanë zhvilluar ose e zhvillojnë pas humbjes së personave të pagjetur. Fotografitë qëndrojnë të varura në ajër, për arsye e se ne konsiderojmë që edhe çështja e personave të pagjeturve në Kosovë tash e 21 vjet është çështje e varur në ajër edhe shumë mbetet për t’u bërë. Unë mendoj se barra i mbetet institucioneve të Kosovës, puna jonë edhe qëllimi ynë është që sado pak t’ua kujtojmë institucioneve që duhet ta kthejnë kokën kah familjarët e personave të pagjetur dhe kah ofrimi i lajmeve e sjellja në dritë të lajmeve”, ka shtuar ajo.

Në hapje të kësaj ekspozite Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, thotë se si pasojë e luftës ende 1644 persona evidentohen si të zhdukur. “Ka shumë që kanë shkuar, për fat të keq kanë ikur pa ditur për fatin e më të dashurve të tyre. Prandaj përgjegjësi është që ne të punojmë që para se të ikin së paku t’i gëzojmë me një lajm të mirë. Kemi këtu bacën Bajram që tre breza i ka të zhdukur, stërgjyshin, gjyshin dhe djalin. Një histori e përsëritshme. Ndoshta është lufta e fundit që të ballafaqohemi me zhdukjen e njerëzve. Janë humbur gjurmët, 100 veprime, kjo çështje është përgjegjësi institucionale, mirëpo tani duhen 100 veprime për t’u zbuluar që ta dimë për fatin e personave të zhdukur”, tha ai duke shtuar se të gjithë mund të kontribuojmë në ndërgjegjësimin e shoqërisë rreth kësaj teme dhe arti përmes fotografisë ka një ndikim të madh në këtë aspekt. “Të vazhdohet me kësi lloj aktivitetesh me publikime edhe performanca artistike me të gjitha format që mund të ndihmojnë ose të zgjojnë ndjenjën e vetëdijen për të pagjeturit” përfundoi ai.

Kjo ekspozitë mbështetet nga forumi “ZFD – Programi” në Kosovë përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 5 ditë, deri më 29 shkurt dhe mund të vizitohet ditëve të punës nga ora 07:00 – 20:00, ndërsa të shtunën nga ora 07:00 – 14:00.Zëri