Shkrimtarët shqiptarë në takimin mbarëkombëtar “Letra nga diaspora”

Shkrimtarët shqiptarë në takimin mbarëkombëtar “Letra nga diaspora”

Kultura February 25, 2020 - 10:31
Image


Autorë, përkthyes, studiues dhe emra të njohur të letrave shqipe, brenda dhe jashtë vendit u bënë bashkë në evenimentin kulturor takimi i shkrimtarëve të diasporës “Letra nga diaspora”. Në këtë takim të veçantë, i organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Diasporën, u diskutua për letërsinë, për gjuhën dhe për vlerat atdhetare.

Në përshëndetjen e tij ministri Pandeli Majko, duke vlerësuar kontributin e autorëve të njohur të letërsisë shqipe, të cilët largësia nga atdheu i nxiti të pasuronin letërsinë, artin dhe identitetin kombëtar, theksoi se letërsia e diasporës i ka fillesat te Rilindja Kombëtare, nga Frashëllinjtë në Turqi, te De Rada në Itali. “Është koha të flitet për letërsinë kombëtare shqiptare. Ju jeni ambasadorët e kulturës dhe të penës shqiptare. Ky nuk është emërim administrativ dhe as kompliment. Ai ka peshën e fjalës dhe të heshtjes”, u shpreh ministri Majko.

Më tej ai shtoi se mbi njëqind shkrimtarë shqiptarë aktivë në gjithë botën po krijojnë e po kontribuojnë për letërsinë tonë kombëtare, ndërkohë në komunitetet e shumta shqiptare, si shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Krijuesve në Gjermani e në Austri” po bëhen promotorë të rëndësishëm të përhapjes së letërsisë shqiptare.

E pranishme në këtë takim ministrja e Kulturës, Elva Margariti, vlerësoi kontributin e të gjithë personaliteteve shqiptarë në fushën e kulturës, të cilët në kohët më të errëta që ka kaluar Shqipëria kanë kontribuuar në mbijetesën e saj dhe kanë shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendit.

Përmes një letre, aktivitetin e përshëndeti edhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, shkrimtari Gazmend Kapllani. Pjesëmarrës në panele ishin autorë të njohur të letërsisë. Në këtë aktivitet merrnin pjesë autorët, si: Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Luan Topçiu, Rudolf Marku, Anisa Markarian, Durim Taçi, Stefan Çapaliku, Ndue Ukaj, Arben Dedja, etj. Takimi, i organizuar në panele të ndryshme tematike e lexime autoriale, synoi të ndihmojë në njohjen, në promovimin dhe në nxitjen e komunikimit të shkrimtarëve të diasporës me lexuesit dhe me botuesit shqiptarë, si dhe prezantimin e letërsisë së migracionit, e cila luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe në promovimin e albanologjisë në botë.Zëri