Turneu “Teatri Kombëtar është i Kosovës” dërgon TKK-në në disa qytete

Turneu “Teatri Kombëtar është i Kosovës” dërgon TKK-në në disa qytete

Kultura February 26, 2020 - 10:39
Image

Me moton “Teatri Kombëtar është i Kosovës” ky institucion do të mbajë një turne nëpër Kosovë gjatë muajit mars. Lajmin se Trupa Teatrore e TKK-së do të prezantohet në disa qytete e ka dhënë ushtruesi i detyrës i udhëheqësit artistik në TKK, Adrian Morina.

Në komunikatën e dërguar për medie Morina shkruan se në bazë të politikave të miratuara nga Këshilli Drejtues dhe nga menagjmenti i TKK-së për një prezantim të shfaqjeve nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës prezantojnë edhe këtë turne të shfaqjeve të TKK-së.

“Në perspektivë synojmë që çdo muaj të prezantojmë nëpër komuna të ndryshme shfaqje nga repertori i TKK-së, duke qenë të bindur se Teatri Kombëtar i Kosovës nuk është vetëm për banorë të kryeqytetit, por është i krejt Kosovës. Datat e prezantimeve janë përzgjedhur të jenë në kuadër të shënimit të festave të marsit”, thuhet në njoftim.

Datat e prezantimeve janë: Ferizaj, 02 mars 2020, “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”. Prizren, 03 mars 2020, “Sfinga e gjallë”, nga Rexhep Qosja, me regji të Blerta Nezirajt. Gjakovë, 04 mars 2020, “Karnavalet e Korçës”, nga Spiro Çomora, me regji të Altin Bashës. Gjilan, 05 mars 2020, “Sfinga e gjallë”, nga Rexhep Qosja, me regji të Blerta Nezirajt.

Në këtë njoftim tutje theksohet se Teatri synon ta shndërrojë këtë në traditë. “Në perspektivë synojmë të krijojmë një traditë të prezantimeve nëpër të gjitha komunat e Kosovës, aty ku ka kushte teknike për shfaqjen e produksioneve tona, duke qenë gjithnjë e më afër shikuesit dhe duke arsyetuar kështu edhe emrin që mban Teatri”, përfundon kështu njoftimi.

Rikujtojmë se pos këtij turneu TKK-ja mban vazhdimisht një program të rregullt në skenën kryesore, si dhe në skenën e vogël në Prishtinë. Kjo është hera e parë që nga paslufta që Teatri Kombëtar i Kosovës merr një iniciativë të tillë për lëvizje të organizuar brenda Kosovës me disa shfaqje. Udhëheqësit e teatrove tjera ku trupa e TKK-së e ka paraparë interpretimin e kanë mirëpritur këtë iniciativë.Zëri