“FemArt”-i hap thirrjen për pjesëmarrëset e edicionit të tetë

“FemArt”-i hap thirrjen për pjesëmarrëset e edicionit të tetë

Kultura February 27, 2020 - 10:49
Image


Qendra për Art dhe Komunitet – “Artpolis” organizon festivalin “FemArt” për të tetën herë radhazi në Prishtinë, nga data 15 - 20 maj 2020, me moton "Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!".

Ky festival gjashtëditor ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikimin e pjesëmarrëseve, të artisteve dhe aktivisteve nga vendi dhe nga mbarë bota, për të prezantuar artin e tyre në edicionin e tetë. Programi i festivalit do të përfshijë tema të tilla si të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe feminizmin, të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues, drejtësinë tranzicionale, ndërtimin e paqes dhe pajtimin, të drejtat e LGBTQI-së, fuqizimin e grave, dhunën ndaj grave, dhuna në baza gjinore, tregimet e suksesshme në shkëmbimet globale dhe rajonale e shumë të tjera. “Nëse jeni të interesuara ta prezantoni punën tuaj artistike në ndonjërën nga disiplinat e lartpërmendura, aplikoni dhe bëhu pjesë e ‘FemArt’ – festivali ndërkombëtar i artisteve dhe i aktivisteve ‘Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!’”. Thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri më 20 mars 2020”, thuhet në njoftimin e festivalit.

“FemArt” është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për tetë vjet. Për çdo vit ne angazhojmë mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota, që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, panele diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti.

“FemArt” – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe për Aktiviste është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve e të krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë, duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve, të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të të drejtave të njeriut.Zëri