Arta Dobroshi merr titullin “Kalorëse e Arteve dhe e Letrave”

Arta Dobroshi merr titullin “Kalorëse e Arteve dhe e Letrave”

Kultura February 27, 2020 - 10:52

Në ceremoninë e mbajtur dje në rezidencën e Francës, në orën 18:00, ambasadorja e Francës Marie-Christine Butel për kontributin në përhapjen e gjuhës dhe të kulturës franceze në Kosovë dekoroi aktoren Arta Dobroshin me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe e Letrave”.

Kjo dekoratë është njëra nga dekoratat më të larta që e ndan Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët, të cilët janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre në fushën artistike ose letrare, ose përmes kontributit që ata kanë dhënë për shtrirjen dhe promovimin e artit e të letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.

Përmes kësaj dekorate Republika e Francës njeh kontributin e jashtëzakonshëm të zonjës Dobroshi, gjatë gjithë karrierës profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe të kulturës franceze në Kosovë.

Dobroshi është një nga aktoret më të suksesshme kosovare karriera e së cilës është zhvilluar edhe jashtë vendit. Vite më parë Arta ua tërhoqi vëmendjen dy kinematëgrafistëve belgë. Vëllezërit Dardenne i ofruan asaj rolin kryesor në një film të madh të tyre. Filmi “Heshtja e Lornës” e festoi premierën e tij në festivalin e 61-të në Kanë, ku aktorja shqiptare bashkë me argjentinasen Martina Gusman ishin favoritet kryesore për çmimin e aktrimit. Një ngritje e pakrahasueshme, e cila u vlerësua nga të gjithë kritikët dhe nga e përditshmja franceze “Le Monde” si “Margaritar i ri i Dardenneve”. Kësisoj Dobroshi u bë aktorja e parë shqiptare që u prezantua në Festivalin e Kanës. Arta ka studiuar aktrimin në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe ka luajtur në disa pjesë teatrale klasike të përgatitura në Kosovë, duke përfshirë këtu tekste të Shekspirit, por edhe të autorëve shqiptarë, si Ismail Kadare e Ekrem Kryeziu.Zëri