Hapet edicioni i 20-të i “Javëve të Frankofonisë”

Hapet edicioni i 20-të i “Javëve të Frankofonisë”

Kultura March 05, 2020 - 14:32
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, si koordinatore vendore e rrjetit të Frankofonisë në Kosovë, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe përfaqësitë diplomatike të Francës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Zvicrës, të enjten, në Prishtinë, bënë hapjen zyrtare të edicionit të radhës, të 20-të, të manifestimit “Javët e Frankofonisë” në Kosovë.

Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme, ka thënë se ka pasur nderin që të bëj hapjen zyrtare të “Javëve të Frankofonisë”. “Padyshim është mundësi shumë e mirë për t’ju dhënë qytetarëve të Kosovës qasje më të lehtë që nëpermjet muzikës, letërsisë, filmit dhe aktivitetve tjera, të ushqejnë dashurinë e tyre për gjuhën frënge dhe kulturën frankofone”.

“Kjo shprehet edhe me rritjen e shumës së subvencionit që i jepet Aleancës franceze për 10 për qind, duke e bërë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe ambasadat frankofone në Kosovë partner kyç në organizimin e aktiviteteve që kanë për qëllim promovimin e frankofonisë në Kosovë gjatë gjithë vitit”, tha Konjufca.

Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, e  ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, vendet dhe rrjetet frakofone, për programin e gjerë e të larmishëm që kanë propozuar këtë vit.

“Uroj që këto aktivitete të ndryshme t’ju lënë mbresa dhe kënaqeni me kulturën frankofone”, tha ambasadorja Butel, e cila në pika të shkurtra tregoi se përveç promovimit të të drejtave të njeriut, gjatë këtij edicioni do të promovohet edhe muzika e këngëtares Era Muçolli, filmat e aktores Arta Dobroshi, dhe natyrisht siç tha ajo, promovimi i gjuhës dhe letërsisë frënge.

Ndërsa Shefi i misionit të Belgjikës në Kosovë, Jean-Louis Servais, tha se këto javë dëshmojnë se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente, miqësore dhe vëllazërore.

“Janë lidhje për një identitet të vlerave të përbashkëta frankofone dhe evropiane”, tha diplomati belg, duke kujtuar se frëngjishtja është vektor i rëndësishëm për Kosovën edhe në rrugën e saj të integrimit, të korrjes së njohjeve të reja, si dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Ndërsa e Ngarkuara me Pune në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë, Natacha Gomes, u fokusua më shumë tek të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore.

Ajo tha se frankofonia nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën frënge, por siç tha ajo, ka të bëjë edhe me vlerat kulturore dhe demokratike.

“Prandaj, këtë vit jemi fokusuar tek të drejtat e grave dhe të vajzave, sepse diskriminimi gjinor në vitin 2020, është i papranueshëm për neve”, tha Gomez.

Hapjen e edicionit “Javët e Frankofonisë”, e ka përshëndetur po ashtu edhe Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Ajo tha se është e nderuar që është pjesëmarrëse në hapjen e këtij edicioni, dhe se institucionet e Kosovës, së bashku me Ambasaden e Francës dhe vendet tjera frankofone, do të vazhdojnë të forcojnë edhe më shumë lidhjet me kulturën frankofone.

Kosova është pjesë e Organizatës Botërore të Frankofonisë (OIF) prej nëntorit, 2014. Në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që u mbajt në tetor të vitit 2018, në Jerevan të Armenisë, shtetet anëtare të OIF-it votuan unanimisht, që Kosovës t’i avancohet statusi në këtë organizatë, nga ai vëzhgues në anëtar i asociuar.