Nisin aktivitetet maratonike të “Javëve të Frankofonisë”

Nisin aktivitetet maratonike të “Javëve të Frankofonisë”

Kultura March 06, 2020 - 10:32
Image

Dje në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme u bë hapja zyrtare e “Javëve të Frankofonisë” në Kosovë. Ngjarja “Javët e Frankofonisë” tashmë është shndërruar në njërën prej projekteve më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Viti 2020 shënohet si viti jubilar, sepse Organizata Internacionale e Frankofonisë shënon 50-vjetorin e themelimit të saj,shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndër personalitetet e shumta që morën pjesë në konferencën për medie ishin Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Marie-Chrstine Butel, ambasadore e Francës në Kosovë, Jean-Louis Seervais, shef i misionit të Belgjikës në Kosovë, Natacha Gomes, e ngarkuar me punë në Ambasadën e Luksemburgut.

Gjuha frënge dhe kultura frankofone gëzojnë një interes të veçantë nga shoqëria kosovare, ajo është një gjuhë e kulturës dhe e artit, por edhe gjuha e deklaratës së të drejtave të njeriut.

Për rëndësinë e njohjes së të rinjve me gjuhën dhe me kulturën franceze ka folur ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, i cili tha se “Javët e Frankofonisë” janë mundësi e mirë që të rinjtë të njihen me një univers të pafund të vlerave që i kanë shoqëritë e vendeve frankofone. “Kjo është një mundësi shumë e mirë që përmes muzikës, letërsisë dhe filmit ta ushqejmë dashurinë e respektin për kulturën frankofone në përgjithësi. Gjithashtu është një mundësi e mirë për t’i njoftuar të rinjtë me një univers të pafund të vlerave që i kanë shoqëritë e vendeve frankofone. Kosova në vitin 2014 hyri në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, kurse më 2018-n ne ngritëm statusin tonë, në atë të anëtarit”, tha Konjufca

Tutje ai tregoi se Qeveria po punon për rritjen e angazhimit për promovimin e gjuhës frënge dhe të vlerave frankonofone në Kosovë. Sipas tij, kjo shprehet me rritjen e subvencionit prej 10 për qind që e bën Ministria e Punëve të Jashtme për Aleancën Franceze. “Kosova e rikonfirmoi përkushtimin e vet edhe në promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes, të demokracisë, të të drejtave të njeriut e të respektimit të diversitetit sidomos të atij gjuhësor. Qeveria e Kosovës e ruan këtë përkushtim dhe po punon për rritjen e angazhimit të Kosovës për promovimin e gjuhës frënge dhe vlerat frankofone në Kosovë. Kjo shprehet edhe me rritjen e nivelit të subvencionit që po i jepet Aleancës Franceze, pra një rritje prej 10 për qind e cila e bën Ministrinë e Punës së Jashtme së bashku me atë të Kulturës e ambasadat frankofone në Kosovë partneritetin kyç në organizmin e aktiviteteve, që kanë për qëllim promovimin e frankofonisë në Kosovë”, u shpreh ministri.

Konjufca ka thënë se qëllim mbetet forcimi i mësimit të gjuhës franceze. “Ne jemi të përkushtuar që në të ardhmen së bashku me Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë të jemi nikoqirë të një ngjarjeje të tillë të nivelit ndërkombëtar. Njëra ndër qëllimet tona mbetet forcimi i mësimit të gjuhës frënge dhe ngritja e njohurive tona mbi kulturën frankofone në përgjithësi. Prania më e madhe e gjuhës frënge dhe promovimi i vlerave të frankofonisë përkon me ambiciet e Republikës së Kosovës edhe për integrimet tona në Bashkimin Evropian, edhe për anëtarësimet e ardhshme nëpër organizatat ndërkombëtare, si edhe me vendosjen e zhvillimit e të bashkëpunimit me të gjitha vendet e hapësirës frankofone”, përfundoi Konjufca.

Ambasadorja Marie Christine Butel tha se shpreson në një angazhim më të madh për gjuhën frënge sidomos nga të rinjtë kosovarë. “Kjo është arsyeja e manifestimeve, të tregohet diversiteti i kulturave frankofone. Qëllimi është promovimi i muzikës, ku do të kemi një koncert më datë 30 mars. Gjithashtu promovimi i të drejtave të njeriut dhe i barazisë gjinore, promovimi i gjuhës frënge me konferenca të ndryshme, i letërsisë, i poezisë. Do të kemi aktivitete të ndryshme”, theksoi ambasadorja franceze.

Në anën tjetër ministrja Vlora Dumoshi theksoi se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në familjen e madhe frankofone po dëshmohet çdo vit se është një fat e privilegj. "Meqë përveç tjerash jemi bërë pjesë e një organizate, e cila udhëhiqet nga parime e vlera të larta civilizuese, shoqërore e demokratike, siç janë: diversiteti kulturor, gjuhësor, solidariteti, paqja e mbrojtja e të drejtave të njeriut. Rreshtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës përkrah Ambasadës së Francës dhe shteteve tjera frëngjishtfolëse e frankofone përmes aktiviteteve të përbashkëta kulturoro-artistike është dëshmia më e mirë e miqësisë sonë të thellë dhe e familjarizimit tonë me frankofoninë", u shpreh ajo.

Ministrja Dumoshi falënderoi përzemërsisht Ambasadën e Francës në Kosovë për angazhimin dhe për përkushtimin e tyre për t’i forcuar e për t’i thelluar lidhjet e dy shteteve e të qytetarëve, për angazhimin, për kultivimin e miqësisë midis Kosovës e Francës.

Ndërsa Natasha Gomes, nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, rikujtoi se “Javët e Frankofonisë” nuk kanë të bëjë vetëm me gjuhët, por edhe për konsolidimin e paqes dhe të të drejtave të njeriut.Zëri