Realizohen 10 radiodrama me rrëfimet e viktimave seksuale në Kosovë

Realizohen 10 radiodrama me rrëfimet e viktimave seksuale në Kosovë

Kultura March 11, 2020 - 12:17
Image

Duke u bazuar në librin e kujtesës “Unë dua të dëgjohem”, organizata “Integra” me partnerë ka realizuar dhjetë audiodrama me rrëfime të grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky aktivitet, i dizajnuar për një audiencë të gjerë, për më shumë se dy muaj rresht do të transmetojë 10 radiodrama në “Radio Kosova 1”. “Trashëgimia e luftës është njëra prej çështjeve më të ndjeshme që ballafaqohen vendet, të cilat kanë kaluar nëpër konflikte ose lufta. Kjo trashëgimi përfshin shumë aspekte dhe shumë nivele, por më kryesorja konsiston në ballafaqimin me pasojat e luftës të viktimave civile dhe të familjarëve të tyre.

Duke ditur këtë situatë, kontekstin politik, kompleksitetin tematik dhe brishtësinë e viktimave të torturës gjatë dhe pas luftës “Integra” me partnerët e saj (forum ZFD dhe KRCT) në vitin 2017 ka realizuar një projekt, i cili u përqendrua veçanërisht në grumbullimin dhe në dokumentimin e përvojave të vuajtjeve të grave të torturuara gjatë dhe pas kohës së luftës në Kosovë. Projekti është realizuar duke përdorur formatin e librit të kujtesës me titull 'Unë dua të dëgjohem'", thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Dukje u bazuar në këtë projekt dhe duke e pasur parasysh rëndësinë e vlerën e këtyre rrëfimeve për dokumentimin e së kaluarës, partnerët kanë vendosur ta vazhdojnë punën e tyre me rrëfimet e librit të kujtesës “Unë dua të dëgjohem”, duke kontribuuar edhe në fushën e trashëgimisë audiovizuele. Ky projekt ka për qëllim që nëpërmes prodhimeve specifike të dokumentojë dhe të ruajë një aspekt tejet të rëndësishëm të së kaluarës së Kosovës, të evokojë për kauzën e fateve e të vuajtjeve individuale të grave të torturuara gjatë luftës dhe përfundimisht të kontribuojë direkt në trashëgiminë audiovizuele kosovare. Libri “Unë dua të dëgjohem” është përkthyer në gjuhen angleze dhe është shpërndarë falas nga "Integra" për të gjithë të interesuarit. Pjesë të librit janë lexuar gjithashtu nëpër organizime të ndryshme publike.

Përmes një komunikate për medie është bërë e ditur se kjo seri e radiodramave do të nisë me datë 16.03.2020, për të vazhduar deri më 19.05.2020. "Rrëfimet që do të prezantohen në formatë të radiodramave janë: Episodi i parë: ‘Dhunimi i gjithë lagjes’ – premiera më 16.03.2020, në orën 17:00, repriza më 17.03.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i dytë: ‘Dy herë më ka ndodh’ – premiera më 23.03.2020, në orën 17:00, repriza më 24.03.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i tretë: ‘Rrëfimi i ndarjes nga kolona’ – premiera më 30.03.2020, në orën 17:00, repriza më 31.03.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i katërt: ‘Skllavja e seksit’ – premiera më 06.04.2020, në orën 17:00, repriza më 07.04.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i pestë: ‘Kthimi i gabuar nga Zvicra’ – premiera më 13.04.2020, në orën 17:00, repriza më 14.04.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i gjashtë: ‘Kurrë ditë s’kam pa’ – premiera më 20.04.2020, në orën 17:00, repriza më 21.04.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i shtatë: ‘Lufta i prishi krejt’ – premiera më 27.04.2020, në orën 17:00, repriza më 28.04.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i tetë: ‘Nuk më mori në Gjermani’ – premiera më 04.05.2020, në orën 17:00, repriza më 05.05.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i nëntë: ‘Nuk desha me hy te ai lokali’ – premiera më 11.05.2020, në orën 17:00, repriza më 12.05.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’. Episodi i dhjetë: ‘Unë, motra, kunata, çikat e tezës, hallës...’ – premiera më 18.05.2020, në orën 17:00, repriza më 19.05.2020, në orën 20:20 në ‘Radio Kosova 1’", kanë njoftuar organizatorët.

Ekipi kreativ i angazhuar në këtë projekt përbëhet nga aktoret: Edona Reshitaj, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili dhe Xhejlane Tërbunja. Dramaturg i këtij projekti është Visar Krusha kurse kompozitor Memli Kelmendi. Producent dhe regjisor i projektit është Kushtrim Koliqi. Pas transmetimit në radio këto prodhime do të jenë në dispozicion të përhershëm për dëgjuesit online nëpërmes ngarkimit të tyre në platformën www.kosovomemory.org

Cikli i audiodramave “Unë dua të dëgjohem” është realizuar nga “Integra”, nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, nga “forumZFD”-ja dhe nga “Radio Kosova” në bashkëpunim me CDF-në, me Ambasadën Suedeze në Kosovë, me “Rockefeller Brothers Fund” dhe me BMZ-në./ZËRI