I jepet lamtumira shkrimtarit Musa Ramadani

I jepet lamtumira shkrimtarit Musa Ramadani

Kultura March 12, 2020 - 08:00
Image

Pas homazhit dhe akademisë përkujtimore, që u mbajtën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të mërkurën u varros shkrimtari i mirënjohur kosovar Musa Ramadani. Njeriu i letrave shqipe vdiq të martën, më 10 mars, në moshën 76-vjeçare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dumoshi: Veprimtaria letrare e Ramadanit - trashëgimi e historisë së Kosovës

Ministrja e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Vlora Domuoshi, ka deklaruar se vdekja e shkrimtarit të shquar Musa Ramadani është pikëllim e dhimbje për Kosovën, është humbje për fjalën e bukur shqipe, për kolegët, për shkrimtarët dhe në përgjithësi për kulturën shqiptare. “Musa Ramadani ka qenë poet, prozator, eseist dhe përkthyes i brezit modern të Kosovës dhe si i tillë mbetet figurë shumë e rëndësishme e kulturës letrare shqiptare. Veprimtaria e tij letrare mbetet trashëgimi e pasur e historisë së Kosovës dhe si i tillë do të vlerësohet brez pas brezi”, ka theksuar Dumoshi. Ministrja ka shtuar tutje se Kosova do ta kujtojë me respekt dhe me nderim veprën letrare të Ramadanit.

Një jetë kushtuar fjalës së shkruar

Musa Ramadani ishte shkrimtar, eseist, dramaturg, kritik arti dhe gazetar. U lind në Gjilan dhe shkollimin fillor e kreu në Prizren, në Gjilan e në Viti. Më pas në Gjilan kreu shkollimin e mesëm, ndërsa në Prizren mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike. Nga viti 1965 punoi si gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”. Shkrimet e para letrare i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i rinisë”. Dorëshkrimin “Neurosis”, të refuzuar nga “Rilindja”, e botoi vetë në vitin 1973. Libri u vlerësuar avangardist dhe prijës i poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës. Gjatë viteve ’70-a në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë fitoi dy çmimet e para. Botoi këto vepra poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969), “Thirravaje” (1971), “Neurosis” (1973), “Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).

Shkrimtar dhe artist, i cili për herë të parë skenën letrare të Kosovës futi poezinë eksperimentale i motivuar nga rrymat postmoderne, atë që më vonë u quajt poezi konkrete e ikonizuar nga shkronjat, nga tipografia e të cilave krijon formë. Kjo poezi u nis për herë të parë nga rrymat e artit modern si dadaizmi dhe me pas surrealizmi me Guillaume Apollinaire, për t’u bërë pjesë e minimalizmit.  “Neurosis” i botuar në vitin 1973 nga Musa Ramadani është një përmbledhje e poezisë konkrete e mbushur me figura prej shkronjash, të cilat konotojnë shenjëzime socio-emocionale të njeriut të asaj kohe. Ky libër është vetëbotuar nga autori, sepse nuk është pranuar për botim nga redaksia e atëhershme e botimeve “Rilindja”.

Tirana nderoi Musa Ramadanin më 2017-n

Shkrimtari Musa Ramadani ishte fitues i çmimit letrar “Kadareja” në vitin 2017, të cilin çmim e ndan Universiteti Evropian i Tiranës, me romanin në dorëshkrim “Profeti nga Praga”. Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand, me motivacionin: “Musa Ramadani me ‘Profeti nga Praga’ ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, ‘Profeti nga Praga’ shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”. Çmimi “Kadare” 2017 u akordua nga instituti evropian “Pashko” me mbështetjen e Universitetit Evropian të Tiranës. Zëri