Rikthimi në origjinën e vendlindjes

Rikthimi në origjinën e vendlindjes

Kultura March 16, 2020 - 18:58

Skender Zogaj

Hasan Hasani: “Mirditë e mirditorë” poezi, botoi “Faik Konica” Prishtinë 2020

Hasan Hasani, poet, prozator, kritik letrar dhe publicist, është autor i 73 librave të publikuara, prej të cilave 50 janë botime letrare dhe 23 publicistike e leksikografike, që pasqyrojnë punën e madhe krijuese të këtij shkrimtari produktiv dhe të mirënjohur të letërsisë shqipe. Hasan Hasani është poet i vokacionit të veçantë krijues, i mirëpritur nga lexuesit, por jo edhe prej ndonjë kritiku heretik, si puna e Rexhep Qosjes, që në kohë e rrethana të caktuara, për qëllime krejtësisht demagogjike dhe për përfitime personale jashtë letrare, është orvatur ta mohojë artin e këtij poeti, në kundërshtim me vlerësimet lavdëruese, që iu kishin bërë librave dhe ky autor kishte fituar epitetin e poetit të talentuar!
Hasan Hasanin si rrallë ndonjë krijues tjetër të brezit të tij, e karakterizon inspirimi nga gurra e thesarit popullor, dhe hulumtimi i rrënjëve të hershmërisë së traditës, me qëllim të ndërlidhjes me trajtat primordiale të poezisë së re, dhe me pretendimin e rigjenerimit, perfeksionimit dhe valorizimit të vizionit personal artistik. Ky insistim i Hasanit rezulton mjaft i suksesshëm, që nga vëllimi i parë poetik, “Krojet e bardha” (1967), që mirëpritet prej lexuesve dhe zgjon kërshërinë e botuesve dhe të kritikës letrare, që në katër vitet në vazhdim, jo rastësisht, këtij autori ia botojnë edhe tre libra të tjerë: “Dallgët e vërrinit” (1969); “Dy legjendat” (1969); dhe, “Më bekoi pa gjuhë” (1971), duke e nxjerrë në dritë të plotë figurën e këtij poeti të talentuar.

2.
Plot 53 vjet pas botimit të librit të parë, Hasan Hasani, nxjerr në dritë përmbledhjen e 25-të poetike, me titull “Mirditë e mirditorë”, që është një kurorë e bukur poetike, ku dominojnë sonetet, që janë fahu poetik i H.Hasanit, i cili në këtë lloj poezie është nga më të spikaturit në gjithë poezinë bashkëkohore shqipe.
Ky vlerësim del i bazuar edhe nga vëllimi “Mirditë e mirditorë” ku, në shembullin e Lahutës së Fishtës, autori me pasion, ridimensionon ndjenjat për Mirditën dhe mirditorët e traditës së pastër e të lashtë shqiptare, e cila shquhet si djep i burrërisë, i mençurisë, i sofrës së mikëpritjes, i logut të qëndresës heroike, me burra si drangoj e me gra si zana.... Mirdita, edhe sot e gjithë ditën, rrezaton frymën e autoktonisë së origjinës, duke u personifikuar me emërtimin e pastër shqip - Mirëdita, që nuk le asnjë lloj mundësie kalkulimesh, sepse, në mënyrë të hekurt, shpreh të vërtetën e origjinës gjenetike. Ky instinkt gjenetik e thërret kah origjina e vendlindjes edhe Hasan Hasanin, pasardhësin e Perkolajve nga Domgjoni i Fanit të Mirditës, që nis aventurën krijuese kah:

“Heu Mirëditë, kënga ime e humbur honeve të mugëta
Ndër gjëmime e vetëtima në qiellin e vdekur t’Lahutës!”

Nga Mirëdita, të parët e autorit, janë larguar shekuj më parë, mirëpo nuk janë shkëputur shpirtërisht prej saj, sepse Përkolajt e Domgjonit të Mirditës, edhe pse të shpërngulur në Jabllanicë të Dushkajës, e kanë ruajtur në zemër dhe në mendje origjinën e vendlindjes dhe shumë nga tiparet e saj, e mbi të gjitha krenarinë e prejardhjes se tyre. Kjo qëndron fuqishëm në ndërdijen e poetit, që është i predispozuar ta ndjej thirrjen e frymës së shpirtit stërgjyshor, thirrje kjo, që qëndron në “qelizën zot”, e cila ka të bëjë me ngjizjen fillestare gjenetike, të gjakut dhe tamblit autokton, që është shenja e identitetit, ADN-ja, e çdo njeriu.
Gjaku ujë nuk bëhet, dhe këtu e ka burimin shpërthimi i ndjenjave të poetit H.Hasani, për Mirditën dhe mirditorët, që në fakt është ekzaltimi për rikthim në origjinë, dhe për ta ndje njëherë e mirë të plotë identitetin e vet:

“Ec Hasan, ec. Mos e ndal udhëtimin nëpër Mirditë
Tako Prekë Currin e Gjon Markagjonin n’Orosh...”

3.
Vëllimin “Mirditë e mirditorë” e përbëjnë tre kapituj poetik, që realisht janë tre libra më vete, por autori i ka përmbledhur sepse i përkasin një boshti tematik, dhe përmbushen përmbajtësisht ndërmjet vetes.
Libri i parë titullohet “Mirditë” dhe përfshinë frymëzimet e autorit për perlat më të shquara, nga ato njerëzore, natyrore, historike, kulturore, dhe gjithçka tjetër që ka
të bëjë me traditën materiae dhe shpirtërore, të trashigiminë shekullore të Mirditës. Janë 80 poezi të realizuara me frymëzimet e shpirtit të dëlirë të autorit, që veçanërisht rrezatojnë tek sonetet: “Ara e Skanderbegut”, “Monolog me kullën në Domgjon”, “Ugjilli i Shën Markut”, “Munella”, “Gurra e Domgjonit”, “Lteri”, “Blinishti” etj.
Aspak mbrapa soneteve nuk mbeten as lirikat e tjera të vargut të shtruar, si: “Mirëdita”, “Domgjoni”, “Në trollin e Fishtës”, “Mali i shenjit”, “Bukmira”, “Mollkuqe” “Kërkoj ëndrrat e Prenk Kolës” etj. Edhe tufa e poezive me vargje të lira ka poezi shumë të mira, si: “Kullaxhi”, “Kalaja e Blinishtit”, “ Fani i madh e Fani i vogël”, “ Qafa e malit” , “Mirditorja”, “Rakia e qershisë” e varg të tjerash.
Libri i dytë titullohet “Tri kurora” dhe përbëhet prej tri cikleve me nga 15 sonete, kushtuar tri figurave të spikatura mirditore (Gjergj Fishta, Anton Çetta, Dom Anton Kçira) që marr guximin t’i konsideroj nga më të bukurat e letërsisë shqipe, si për nga përmbajtja, ashtu edhe poenta artistike, që autori i realizon me pasuri gërshetimesh stilistike, figurash e simbolesh, dhe vargje të kultivuara me shije e sens të hollë prej artisti të vërtetë. E këtillë është kurora me 15 sonete, “Eshtrat s’i tret as guri” kushtuar Atë Gjergj Fishtës, ku, si me thurje “filigranike”, autori e portretizon jetën, veprën dhe frymën e shpirtit të Fishtës, që ndriçon si fanar i përjetshëm drite frymëzuese për shqiptarët:

“Ati ynë zulmëmadh, o idhulli ynë shenjtëror
Eshtrat peng ngushëllimi se ç’e mbollën tokën,
N’Deçiç e Tarabosh u përzien gjak e borë –
Gjyshërit e shqipeve mbollën lavdinë e kokën!” (fq.86)

Të së njejtës lartësi artistike janë edhe dy kurorat tjera në vazhdimin e librit, “Engjëll i urtësisë” – kushtuar Anton Çettës, dhe “Apostull i adhurimit” kushtuar Dom Anton Kçirës, famullitarit në Detroit të SHBA-ve. Të dy këto figura, janë të dashura për shqiptarët dhe, autori ua ka dedikuar adhurimin artistik, sepse, shenjtëria e tyre e ka vendin në kujtesën historike të Mirditës dhe të mirditorëve. Poeti shprehet:

“Me librin e jetës frymon Anton Çetta
Me një moshë thinja mbuluar mendimet,
E bukur mbi të gjitha, qëndron e vërteta –
Kemi arsye për t’i përzënë mashtrimet (fq.109)

Libri i tretë titullohet “Mirditorë” dhe përmbledh vargun e përkushtimeve e autorit për mirditorët e tij të dashur, ata burra e gra që i kanë qëndruar besnik tokës dhe qiellit të tyre, duke ia falur djersën, gjakun dhe frymën e shpirtit të tyre, që ia kanë ruajtur besën dhe nderin Mirditës, kombit dhe atdheut, dhe që kanë qëndruar denjësisht brenda udhës së gjakut dhe të tamblit të vet. Korifenjtë e Mirditës janë të shumtë, por autori ka zgjedhur 55 nga më të shquarit siç janë: Gjon Gazulli, Prend Doçi, Preng Marka Prenga, Aleksandër Moisiu, Ndre Mjeda, Lleshi i Zi, e të tjerë që i përkasin krenarisë së Mirditës dhe për të cilët poeti thotë:

“Vullneti i Zotit këta engjëj n’Malsi ka zbritë
T’i kemi pararojë t’shëlbimit t’uratës ndër vite
Korifenjtë e Mirditës qiejt mbuluan me dritë.”

Hasan Hasani në këtë vëllim ka investuar me pasion të zjarrtë gjithë forcën krijuese për t’i dhënë dritë aureolit të ëndrrës së strehuar në fundin e shpirtit, e ruajtur si një amanet për mos harresën e origjinës së vendlindjes stërgjyshore.
Libri mbyllet me Epilogun “Unë mirditori” që është një poezi-poemë e titulluar “Këngë për vete dhe Përkolajt” që poeti Hasan Hasani e vesh me ngjyra epiko-lirike, që autori e shkruar me gjakun e zemrës dhe të shpirtit. Në këtë poemë, në vetëm 144 vargje, jipet historia e familjes së Përkolajve të Jabllanicës, me të gjitha baticat dhe zbaticat jetësore, në kalvarin e saj tre shekullorë. Poemën e karakterizon harmonia, me vargje e rima plot muzikalitet, me metafora e epitete, që nuk zbehen kurrë nga mendja e lexuesve. Poeti, në katër vargje tregon së kush ishte, kush është dhe kush do të jetë:

“Pinjoll Mirdite ndër humbëtira shkela n’shtatëdhjetat
Fjalë e varg guri në zemër,
S’m’gjunjëzuan kurrë përpjetat as tatpjetat –
Dushkaja m’u bë emër – Mirdita mbiemër!” (fq. 204)

Një e vërtetë kjo, sa historike, aq edhe poetike, njerëzore e filozofike për një poet të vërtetë, që kaloi tërë një jetë i dashuruar me vargun burimor nga ama e gurrës së shpirtit.
Tash, kur kemi në dorë vëllimin “Mirditë e mirditorë”, na largohet tisi i mjegullës se hamendjes: pse Hasan Hasani gjithë jetën u përqendrua brenda një vokacioni të caktuar poetik - në gurrën e krijimtarisë gojore, nga e cila merr nektarin për ta ushqyer artin e tij poetik, vargjet dhe lirikat poetike, sonetin që është lloji më i vështirë dhe më i mundimshëm i poezisë, por pikërisht këtu Hasan Hasani është  treguar mjeshtër, dhe vëllimi “Mirditë e mirditorë” është dëshmia konkrete. Ky libër lexohet me ëndje, është i qartë dhe joshës, si për lexuesin më të thjeshtë ashtu edhe atë më elitar. Prandaj ky libër e meriton vendin në fondin e botimeve të zgjedhura.