“Oscars” synon diversitetin, fton edhe 819 anëtarë të rinj

“Oscars” synon diversitetin, fton edhe 819 anëtarë të rinj

Kultura July 01, 2020 - 14:29

Eva Longoria, Zendaya dhe Awkwafina janë ndër figurat e fundit të ftuara të Hollywoodit për t’u bashkuar me Akademinë e Arteve dhe Shkencave Filmike këtë vit, teksa organi votues i “Oskar”-it vazhdon të synojnë diversitetin, shkruan “The Guardian”.

Akademia njoftoi se ka ftuar 819 anëtarë të rinj të martën, duke përfshirë Cynthia Erivo, John David Washington dhe Constance Wu. Grupi i ri i të ftuarve është 36% njerëz me ngjyrë dhe 45% gra. Ata që e pranojnë thirrjen do të kenë privilegjet e votimit në ceremoninë e sivjetme të “Oskar”-it.

Lista e madhe e vitit 2020 vjen pasi Akademia u është përgjigjur thirrjeve të reja për diversitet dhe përfshirje më të madhe në Hollywood. Në fillim të këtij muaji Akademia njoftoi se do të zgjerojë përgjithmonë nominimet për kategorinë e saj të “Best Picture” në 10 filma, me shpresën se filma më të larmishëm do të marrin nominime si rezultat.

Akademia përbëhet nga më shumë se 8.000 anëtarë të votimit dhe 2.000 anëtarë të rinj që janë shtuar në tre vjetët e fundit. Derisa ende ishin kryesisht të bardhët dhe meshkujt, një studim i vitit 2018 zbuloi se anëtarët e rinj rritën diversitetin, me njerëz me ngjyrë që përbënin 16% të anëtarëve në 2018-n nga 8% në 2015-n.

Ndryshimet duket se po kanë ndikime. Këtë vit filmi “Parasite” i Bong Joon-ho u bë filmi i parë në gjuhën joangleze që fitoi “Best Picture”, ndërsa “Moonlight”, një film i përqendruar në përvojën e homoseksualëve meshkuj me ngjyrë, fitoi “Best Picture” në 2017-n dhe u cilësua si një depërtim nga kritikët. Por jo çdo fitore e fundit është parë si përparimtare; fituesi “Best Picture” i vitit 2019, “The Green Book”, u akuzua se ishte një “film racist që nuk e dinte se ishte racist”.

Lista e vitit 2020 përfshin gjithashtu një varg të larmishëm njerëzish nga të gjithë sektorët e industrisë, nga aktrimi, publiciteti e deri te modelimi i kostumeve. Aktorët e ftuar përfshijnë Ana De Armas, Brian Tyree Henry, Florence Pugh, Lakeith Stanfield, Beanie Feldstein. Regjisorë të tillë si Lulu Wan, Ari Aster, Terence Davies dhe Matthew Vaughn janë gjithashtu në listë.

Edhe një pjesë e aktorëve nga filmi “Parasite”, duke përfshirë Jang Hye-Jin, Jo Yeo-Jeong, Park So-Dam dhe Lee Jung-Eun, u ftuan. Akademia tha se 49% e të ftuarve të rinj janë ndërkombëtarë dhe përfaqësojnë rreth 68 vende.

Presidenti i Akademisë, David Rubin, tha se organizata “është e gëzuar të mirëpresë këta bashkudhëtarë të shquar”.

Akademia gjithashtu ka publikuar një plan të ri pesëvjeçar, që përfshin zbatimin e standardeve të përfshirjes për të nominuarit.

“Mezi presim të vazhdojmë të nxisim një Akademi që reflekton botën përreth nesh, në anëtarësinë tonë, në programet tona, në muzeun tonë të ri, si dhe në shpërblimet tona”, tha CEO i Akademisë, Dawn Hudson.

Ndërsa, Lulu Wang, regjisore e “The Farewell”-it, tha në “Twitter”: “Shumë e ngazëllyer për të qenë anëtare e re në Akademi me kaq shumë mendje të shkëlqyera”.

“Megjithëse ka ende shumë punë për të bërë, ky grup duke më shumë si një juri e vërtetë e kolegëve tanë se kurrë më parë, kështu që ky është një hap në drejtimin e duhur”. vazhdoi tutje.

Ceremonia e 93-të e ndarjes së çmimeve “Oscar” pritet të mbahet më 25 prill 2021, dy muaj më vonë sesa ishte planifikuar fillimisht për shkak të efekteve të COVID-19 në industri.